Shkrirja e anti-krimit ekonomik

23/10/2013 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj shkrirjes së njësisë policore për hetimin e krimit ekonomik, duke e cilësuar këtë veprim si hakmarrje kolektive ndaj njësisë, që sipas tij zotëronte përgjime që përfshinin kryeministrin Rama dhe ministrat e maxhorancës së re.

Nëpërmjet rrjetit social Facebook, Berisha shkruan se kjo njësi ka vendosur para ligjit trafikantë, banditë, por edhe qindra zyrtarë të maxhorancës së kaluar.

“Të dashur miq, këto ditë, në një akt tjetër hakmarrjeje dhe dënimi kolektiv, Rama shkriu policinë kriminale që merrej me hetimin e krimit ekonomik, e cila me hetimet, teknikat dhe përgjimet e saj ka vendosur para ligjit qindra trafikante, banditë, kontrabandistë, por dhe qindra zyrtarë të korruptuar të maxhorancës tonë. Kjo polici kishte të gjitha përgjimet e komunikimeve elektronike të kryera nga organet tona dhe partnerët tanë, të anëtarëve dhe bosëve të bandave kriminale të “Hakmarrjes për Drejtësi”, “Bandës së Lushnjes” apo Durrësit, në të cilat lakohej dhe përfshihej edhe direkt emri i Ramës. Njësia kishte dhe dokumenta dhe përgjime të shumta për ministra, deputetë aktualë të PS-së, familjarëve të tyre të implikuar në larje parash të pista, kontrabandë, trafik droge etj”, shkruan Berisha.

Deputeti demokrat thotë se shkrirja e kësaj njësie është bërë me qëllim për t’u zëvendësuar me militantë pasi Rama dhe ministrat e tij, sipas ish-kryeministrit Berisha, po bëjnë batërdinë me investime pa tender dhe me prokurim direkt.

“Si pretekst për shkrirjen e policisë kriminale Rama përdori një përgjim në të cilin dy oficerë të policisë kriminale ishin shprehur se operacioni i policisë kundër lojërave të fatit motivohej fund e krye nga vendosmëria e Ramës për të krijuar monopolin në këtë fushë për vëllaçkon e tij të rilindur nga SHBA dhe Hakmarrjen për Drejtësi. Këtij i thonë zemërim! Vrapim drejt kleptokracisë!”, shkruan Berisha.

Top Channel