PD, akuza për “INSTAT” dhe shëndetësinë

23/10/2013 00:00

Pas shkarkimit të kreut të Institutit të Statistikave Ines Nurja, Partia
Demoklatike ka reaguar duke thënë se kjo është një dëshmi e fortë e
spastrimeve në administrate dhe zëvendësimit të ekspertëve me njerëz
politikë.

“Sot, kryeministri i ri i vendit, ka shkarkuar, në thyerje totale të bazës ligjore, pa asnjë argument dhe tërësisht jashtë të gjitha procedurave ligjore në fuqi, Drejtoren e Institutit të Statistikave, zj. Ines Nurja, një eksperte karriere e statistikave kombëtare, duke e zëvendësuar atë me z.Gjergj Filipi, drejtor i Institutit ‘Agenda’, tashmë edhe haptazi jo të pavarur.

Sot, të gjitha paralajmerimet e Partisë Demokratike lidhur me fushatën e spastrimeve politike dhe emërimeve të reja klienteliste e aspak meritokratike, po vërtetohen katërcipërisht.Sot, kuptohet qartë qëllimi i atentatit ndaj konsensusit me shtyrjen e futjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.

Statistikat e vendit, një krenari kombëtare e cituar pa përjashtim në të gjitha raport-progreset e Bashkimit Evropian, kanë pësuar sot atentatin më të rëndë dhe paralajmerimi tjetër i Partisë Demokratike për kapjen e statistikave të vendit dhe vendosjen e tyre nën thundrën e kryeministrit të ri të vendit, është sot plotësisht i vërtetuar”, tha deputeti demokrat Florion Mima.

PD kundër ministrit Beqja
Është qytetari më pak i informuar për shëndetësinë

Ndërkohë, deputeti tjetër demokrat, Bardh Spahia akuzoi ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja se është personi më i painformuar për shëndetësinë. Kjo, pasi ministri deklaroi shërbim falas për të prekurit nga kanceri, në një kohë kur qytetarët, sipas tij, e përfitojnë këtë me ligjin e 2011-s.

“Ministri i Shëndetësisë është qytetari më pak i informuar për sektorin për të cilin punon. Që kur ka marrë detyrën, ai ka pasur kohë të marrë informacione për shërbimet që ofrohen falas në spitalet tona dhe për rrjedhojë mund të ishte informuar se shërbimi për të sëmurët me kancer bëhet falas”, deklaroi deputeti Spahia. 

Top Channel