Një skaner i thellë diplomacisë shqiptare gjatë viteve 1912-1939 nëpërmjet dokumenteve të pabotuara më parë nga arkivat europiane dhe ato amerikane është vepra më e fundit e ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe historianit Paskal Milo. 

Nëpërmjet 1000 faqeve në librin me titull “Politika e jashtme e Shqipërisë”, Milo sjell në një dimension të ri zhvillimet e kësaj periudhe më të gjitha dritëhijet e saj.

Historiani Arben Puto tha: “Është një tablo e plotë dhe gjithëpërfshirëse e periudhës 1912-1939. Në këtë vepër bëhet një analizë origjinale, teorike dhe krahasuese e zhvillimit të nacionalizmit si pararendës dhe finalizues i krijimit të shtetit shqiptar.”

Vetë autori prezencën e kryetarit të parlamentit Meta, ministrave Bushati, Nikolla dhe Celibashi, kryetares së Komisionit Parlamentar të Jashtëm, Arta Dade, ish-presidentit Moisiu dhe disa ambasadorëve, e quajti jo vetëm respekt ndaj tij, por në veçanti për kërkimin shkencor: “Është libri i jetës time. Kam sakrifikuar netët e mia për të prodhuar atë që shikoni sot. Besoj se gjithë ky investim do të sjellë diçka të re.”

Profesor Paskal Milo, në fund të fjalës së tij u shpreh se ai dëshironte që ky libër të prodhonte debate pasi vetëm në këtë mënyrë kërkimi shkencor mund të ecë përpara.

Top Channel