Arsimi, konkurs për drejtuesit e rinj

22/10/2013 00:00

Drejtuesit e Drejtorive Arsimore Rajonale do të përzgjidhen për herë të
parë përmes konkursit, konform ligjit për sistemin arsimor
parauniversitar.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla thotë se përmes këtij procesi transparent synohet ringritja e sistemit arsimor në vend, i cili aktualisht është jashtë çdo standardi.  

“Ftesa është për të gjithë që të jenë pjesë e konkurrimeve për të dhënë gjithë profesionalizmin, shpirtin dhe dashurinë e tyre për të ringritur sistemin arsimor në Shqipëri dhe nga ana tjetër do të kemi edhe 13 finale publike, ku 3 deri 5 kandidatë që përzgjidhen në bazë të dokumentacionit dhe kritereve që ligji kushtëzon do të ketë shfaqjen e tyre, të projektit të tyre, se si do ta ndryshojnë arsimin në qarkun, në rrethin, në shkollën e kështu me radhë se do të jetë një proces zinxhir, në përputhje me ligjin”, tha Nikolla.

Konkursi për përzgjedhjen e 13 drejtuesve të drejtorive arsimore në 12 qarqe të vendit është shpallur të hënën dhe kandidatët mund të paraqesin dokumentacionin pranë Ministrisë së Arsimit deri në datën 28 tetor. Ky konkurs pason inspektimin e kryer nga Ministria e Arsimit në drejtoritë arsimore dhe 26 shkolla në vend, gjetjet e të cilit, sipas ministres Nikolla, janë më shumë se shqetësuese për shkak të emërimeve pa kriter dhe për arsye politike.

“Në vetëm 26 shkolla, 119 mesues janë emëruar jashte kriterit, te ftuar ne fushata elektorale, per t’u bere pjese e punesimit, per te perfituar me pas kredite elektorale”, tha Nikolla.

Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit janë marrë masat disiplinore zgjidhje e menjëhershm e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit, përfshirë 13 drejtuesit e DAR dhe vërejtje për punonjës të tjerë.
    
PD: Spastrime politike në arsim

Partia Demokratike e konsideroi këtë një fushatë spastrimesh politike në arsim.

“Spastrimi politik i mësuesve sipas bindjeve politike, po maskohet me një të ashtuquajtur inspektim që po bëhet nga një grup i përbërë nga militantë politik të sapoemëruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Ne i ftojmë mësuesit e funksionarët arsimorë, të reagojnë e të rezistojnë  ndaj presionit që do t’ju bëhet nga militantë dhe grupe kontrolli militantësh, që do të drejtojnë këtë fushatë të spastrimit politik në arsimin shqiptar.
I bëjmë thirrje ministres së Arsimit e Sporteve, të ndërpresë këtë fushatë të padenjë për arsimin.
Partia Demokratike do të asistojë cilindo që do të ndëshkohet politikisht, pa të drejtë e në shkelje të ligjit”, tha deputetja demokrate, Eleina Qirici.

Top Channel