Vartësit padisin shefen në Prokurori

21/10/2013 00:00

Stafi i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive është bashkuar si asnjëherë më parë në një kontestim zyrtar ndaj drejtuesit të këtij institucioni, duke dorëzuar një padi për ndjekje penale pranë Prokurorisë.

Për dijeni të kësaj lëvizjeje, stafi i këtij institucioni ka njoftuar presidentin e vendit, kryetarin e Kuvendit, kreun e KLSH dhe ambasadat.

ILDKP kallëzon drejtuesen Zana Xhuka pikërisht për arsyen sepse, së pari arsimimi i saj konsiderohet i papërshtatshëm për detyrën aktuale dhe se nuk ka lidhje profesionale me inspektoriatin, çka sjell, thonë vartësit, një bllokim total të punës sonë.

Më konkretrisht, vijohet në kallzimin që TCH disponon, shefja Xhuka ka larguar nga shërbimi civil sekretarin e përgjithshëm të burimeve njerëzore dhe drejtoren jurdike pasi ata nuk pranuan të firmosnin urdhërat lidhur me administrimin e deklaratave të interesave private; ka larguar nga detyra drejtoren e IT-së dhe ka emëruar pa konkurs një person nën ndjekje penale; ka refuzuar të firmosë raportet e inspektorëve të lartë ku propozohen kallëzime penale dhe gjoba për zyrtarë për fshehje pasurie me qindra mijëra dollarë dhe konflikte flagrante interesi.

Më tej vartësit i kërkojnë prokurorit të përgjithshëm të hetojë shefen e tyre pasi sipas pretendimit të tyre, zonja Xhuka ka bllokuar punën e nisur më datë 19 nëntor 2012 për kontrollin e plotë të rreth 200 zyrtarëve me argumentin se kjo nuk është puna e saj.

Gjithashtu, për të gjitha deklaratat e këtij viti, akuzon stafi i ILDKP, për rreth 4.800 prej tyre nuk është bërë skanimi elektronik siç e kërkon ligji dhe nuk janë kryer verifikimet e konfliktit të interesit, siç e kërkon sërish ligji. ILDKP ka patur arritje, thonë vartësit, që nga 2003 janë vendosur gjoba për zyrtarë dhe ka patur kallzime.

“Por që nga 2012-2013 kemi zero masa administrative, zero kallëzime penale, zero parandalime dhe zgjidhje të konfliktit të interesit, pra shkurt, zero rezultate”, thonë vartësit për një institucion që mbahet me taksat e shqiptarëve.

Top Channel