Mjeku Maksim Jani, i cili pak ditë më parë u rrah dhe u ofendua nga një 28-vjecar pasi bashkëshortes së tij i kishte vdekur fëmija në bark ka reaguar duke shpjeguar ngjarjen dhe duke theksuar se ka lënë gjithcka në dorën e drejtësisë.

Mjeku ka sqaruar se pacientja kishte anashkaluar disa ekzaminime pasi ajo kishte shkëputur kontaktet me të për rreth 20 ditë dhe më pas ajo është rikthyer me pretendimin se nuk e ndjente fëmijën të lëvizë prej 3-ditësh.

Mjeku ka sqaruar se ai u ka komunikuar ciftit lajmin e vdekjes së fëmijës dhe më tej ai është kujdesur për pacienten e tij, ndërsa ajo është larguar në Selanik me vullnetin e saj.

“Kam besim tek drejtësia. Unë jam i qetë në ndërgjegjjen time për këtë që ka ndodhur. Mbaj përgjegjësi për cdo fjalë që them. Kam bërë detyrën time si mjek dhe jam i sigurtë për këtë”, është shprehur jashtë kamerave mjeku.

Por pas deklaratave të tij ka ardhur edhe reagimi i familjarëve të pacientes. Bashkëshorti i saj, Nertil Koçibelli ka deklaruar se ata kanë ngritur një denoncim ndaj mjekut për atë cka i ka ndodhur fëmijës.

Ata pretendojnë se pacientja shtatzënë nuk është trajtuar nga mjeku. Ajo i ka thënë mjekut në kohë se nuk e ndjente fëmijën të lëvizë, por ai ia ka justifikuar këtë me dicka që ndodh në muajin e 9 të shtatzanisë.

Pasi u ka komunikuar lajmin e vdekjes së fetusit mësohet se mjeku i ka kërkuar ciftit që të qetësohen dhe të rikthehen për ta hequr atë prej barkut të nënës, por kur kanë komunikuar me babain e 28-vjecarit ngjarja ka marrë një tjetër rrjedhë duke arritur deri në konfrontimin fizik.

Top Channel