Shkatërrohet godina tek Ekonomiku

20/10/2013 00:00

Gjatë orëve të pasdites së ditës së diel është realizuar edhe shembja përfundimtare e objektit pa leje pranë Fakultetit të Ekonomisë me mjete mekanike, teksa tashmë pritet të përfundojë pjesa e fundit e këtij operacioni, ajo e pastrimit të inerteve.

Ngjarja është shoqëruar edhe me një incident të rrezikshëm, por pa shkaktuar viktima, teksa në momentin e rrëzimit përfundimtar të godinës, një pjesë e saj ka prekur edhe xhamin e parë të një fadrome.

Operacioni nisi që nga mëngjesi i ditës së diel, kur rreth orës 13 e 10 minuta, forca xheniere kryen shpërthimin e kontrolluar për të prishur strukturën mbështetëse të godinës pesëkatëshe, e ndërtuar pa leje sipas autoriteteve, përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë.

Shpërthimi nuk arriti ta rrëzojë totalisht ndërtesën, e cila mbeti në këmbë edhe pas shpërthimit të eksplozivit të kontrolluar, por rrëzimi total i saj u bë me fadroma, të cilat zhvendosën edhe materialet inerte. Megjithatë autoritetet e policisë thanë se ky ishte edhe qëllimi i operacionit.

Ndërtesa pesëkatëshe u bllokua dy javë më parë nga policia, pas një urdhri të Task Forcës për ndërtime pa leje, të drejtuar nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ishte vendimi i kësaj Task Force për ta shembur në këtë mënyrë ndërtesën.

Sipas burimeve policore u vendosën 35 kilogram eksploziv i llojit C4 në themelet e godinës dhe kolonat e katit të parë. Forca nuk bëri të mundur shkatërrimin e saj të plotë, por e bëri të lehtë për ta rrëzuar atë në mënyrë mekanike.

Forca të shumta policie, që prej orës shtatë të mëngjesit, kishin rrethuar zonën, pa dhënë të drejtën e leje kalimit as të automjeteve, as të udhëtarëve, në katër rrugët që janë në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi.

Pronarët e godinës u konfrontuan më herët me policinë, duke protestuar se tre katet e para të saj ishin me leje dhe ishin dakord për shkatërrimin e dy kateve shtesë, por kjo nuk u mor parasysh nga policia. Task Forca për ndërtimet pa leje në Ministrinë e Brendshme bën të ditur se ky aksion do të vazhdojë me të tjera shembje ndërtesash.

Top Channel