Reforma administrative territoriale është cilësuar nga kryeministri Edi
Rama si një sfidë tejet e rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Gjatë një konference organizuar nga Qeveria me mbështjen e OSBE-së, kreu i ekzekutivit e quajti ndarjen e tanishme administrative të vendit, si një dallgëzim demografik i trashëguar prej të shkuarës diktatoriale.

“Dialog me të gjithë aktorët. Eshtë një proces i reformës administrative territoriale që duhet dhe ne do të bëjmë çmos që të jetë tërësisht përfshirës, kompleksitet në qasje, por me një synim të përbashkët dhe të pandashëm, thjeshtëzim në ndarjet territoriale. Fuqizim i hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore të njësive vendore, në funksion të fuqizimit tërësor të vendit dhe padyshim në fund të fundit, ky është edhe thelbi i kësaj reforme”, tha Rama.

Kryeministri e ilustroi me shifra koston që paguajnë takspaguesit shqiptarë për administratën e pushtetit lokal.

“Eshtë e papranueshme në kushtet e Shqipërisë dhe jo thjesht të Shqipërisë në krizë ekonomike, por të Shqipërisë kështu siç e kemi, me mundësitë që kemi, që administrata e komunave, t’i kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe jo pak, por 71 komuna që i kanë të ardhurat zero dhe që qëndrojnë në këmbë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit”, tha Rama.

Një ndarje e re administrative e vendit, theksoi Kryeministri do t’i shërbejë fuqizimit të ekonomisë së vendit me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët.

Ambasadori OSBE-së Florian Raunig deklaroi se ndarja admistrative dhe territoriale e Shqipërisë rezultoi në njësi shumë të vogla të qeverisjes vendore me burime shumë të kufizuara që në shumë raste e ka bërë shumë të vështirë për pushtetin vendor në ofrimin e shërbimeve publike cilësore për qytetarët e vet.

Ndërsa Ettore Sequi kreu misionit të BE-së në Tiranë u shpreh se “esenca e kësaj reforme do të jetë produkti final që duhet të zotërohet nga ata të cilët do ta zbatojnë në praktikë. Konsultimet dhe bashkëpunimet midis autoriteteve të pushtetit vendor është thelbësor në këtë reformë”, theksoi Sequi. Sipas Bledi Çuçit, ministër Shteti për Çështjet Vendore, ndarja e re administrative e vendit nëpërmjet kësaj reforme synohet të përfundojë përpara zgjedhjeve lokale të 2015-s.

Top Channel