Tiranë, tentativë grabitjeje në kazino

16/10/2013 05:20

Një kazino, e bllokuar së fundi nga aksioni “Fund Marrëzisë”, e ndërmarrë nga Policia e Shtetit në disa qytete të vendit, me urdhër të firmosur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është tentuar të grabitet gjatë orëve të natës së ditës së mërkurë, te “Unaza e Re” në kryeqytet.

Grabitësit dyshohen të kenë qenë 4 persona dhe arritën të nxirrnin nga ambientet e kazinosë, ku ishte vendosur për ruajtje një police femër, 2 makineri dhe t’i ngarkonin ato në një automjet. Por, sipas raportimeve, policia e komisariatit numër 6 në Tiranë ka shkuar në vendngjarje dhe ka arritur të bllokojë sërish 2 makineritë e lojrave të fatit.

Njëri prej autorëve të tentativës për grabitje besohet të ketë qenë pronari i kazinosë. Ende nuk ka raportime për arrestimin apo jo të grabitësve, apo nëse policia është vënë në ndjekje të tyre.

Ditën e martë nisi edhe sekuestrimi i të gjitha makinerive të pa lincencuara, si hap i dytë i operacionit policor, ndërkohë që më tej do të vijohet edhe me bllokimin e lokaleve të licencuara, por që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore ndaj shtetit.

Top Channel