Tahiri shkrin Krimin Ekonomik

16/10/2013 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi pasditen e së mërkurës se aksioni i policisë për shkatërrimin e aktiviteteve ilegale të lojrave të fatit në vend do të vazhdojë deri në sekuestrimin e kompjuterit të fundit të paligjshëm.

Ndërkohë, Tahiri tha gjithashtu se ato pak firma të liçencuara do të jenë nën një regjim të rreptë dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme.

“Kemi hedhur hapin e parë për mbylljen e një plage sociale, efektet e të cilës peshonin tek buxheti i familjeve shqiptare. Falenderoj atë minorancë fare të vogël që përfaqësojnë operatorët e ligjshëm të lojrave të fatit, që në një takim me ne kanë pranuar një regjim të shtrënguar që do vendoset në treg për të ndalur paligjshmërinë dhe për të kontrolluar aktivitetin e tyre”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm bëri të ditur se ka vënë nën hetim të gjithë drejtuesit dhe inspektorët e Policisë së Krimit Ekonomik. Pas dekonspirimit të aksionit nga disa prej vetë shefave të sektorëve, Tahiri radikalizoi vendimin e tij duke e shkrirë jo vetëm sektorin në fjalë, por dhe duke pezulluar çdo polic që ka punuar deri më sot në të.

“Vendosëm shkrirjen e seksionit në çdo drejtori në qarqe. Të gjithë efektivët pezullohen dhe do hetohen nga SHKB, Drejtoria e Standarteve pranë Policisë së Shtetit dhe inspektimi i ministrit të Brendshëm. Hetimi do të marrë parasysh praktikat e deritanishme ndaj paligjshmërisë së aktiviteteve të lojrave të fatit, deri tek verifikimi i pasurisë për këdo që ka punuar në këto seksione”, nënvizoi Tahiri.

Ministri i Brendshëm saktësoi më tej se, kush nga punonjësit e policisë që pas hetimit do të rezultojë i papërfshirë në afera korruptive do të kthehet në detyrë.

Top Channel