Mësuesit, 500 arsimtarë në vend janë punësuar mbi strukturë

15/10/2013 00:00

Sektori i arsimit, në këtë fillimsezoni, ka nisur me shumë probleme.
Disa prej tyre janë problematika që duhet të zgjidhen me emergjencë. Në
Komisionin Parlamentar të Edukimit, ministrja Lindita Nikolla ka
raportuar përpara deputetëve të mazhorancës, pasi opozita nuk u paraqit
dhe bojkotoi seancën, çështjet më problematike që ka sot sistemi i
arsimit.

Emergjenca që ka sot arsimi është numri i mësuesve të punësuar mbi normë, janë gati 500 arsimtarë mbi normë. Vendin e parë e mban kryeqyteti, Tirana, dhe emërimet politike, militantë të cilët drejtojnë dhe e kanë pranuar hapur edhe nëpërmjet shkresave se drejtojnë edhe çështjet e arsimit, por bëjnë edhe detyrat politike në qytetin ku banojnë. Të gjitha emërimet e bëra në muajin gusht, shtator do të zhbëhen, mësuesve do t’u ndërpritet kontrata.

Sipas ministres, inspektimet deri tani kanë qenë të pjesshme dhe pritet të mbyllen brenda pak kohëve, por më emergjente dhe problem madhor mbeten punësimet nxitimthi të bëra gjatë muajve gusht-shtator në drejtoritë rajonale dhe zyrat arsimore, si dhe mosrespektimi i ligjit për konkurrim apo udhëzimeve të lëshuara në muajin korrik për punësimet në radhët e arsimtarëve.

“Punësimet janë bërë nxitimthi, nuk janë bërë në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e dhëna, ndërkohë që konstatojmë se në drejtoritë arsimore drejtuesit kanë bërë edhe punën e shtetit, edhe detyrat politike. Nga rezultatet paraprake ka mësues mbi normë në disa qytete dhe informacioni i dhënë nga drejtuesit e DAR kanë qenë të rezervuara. Pritet të nxjerrim rezultate të plota javën e ardhshme në mbyllje të inspektimit në rang kombëtar”, ka thënë dje në komision ministrja Nikolla.

Sipas saj, në Drejtorinë Arsimore Tiranë janë emëruar 193 mësues të dispozicionit mbi normë, si dhe 65 të sistemit me kohë të plotë. Qytetet ku ka pasur problematika më të mëdha janë: Tiranë, Vlorë, Mallakastër, Has, Pogradec, Skrapar, Përmet, Kamzë.

Ministrja ka sqaruar se të gjitha këto problematika të nxjerra në pah nga grupi i inspektimeve të bëra kohët e fundit brenda një periudhe të shkurtër, nuk janë evidentuar as nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP) dhe as nga auditi i Ministrisë së Arsimit.

“Një sërë problemesh janë konstatuar gjatë tryezave të punës që kemi zhvilluar me drejtorë të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe të zyrave arsimore. Reflektohet pasiguri në treguesit e arritjeve, në të dhënat dhe statistikat që kanë të bëjnë me numrin e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar në shkolla publike dhe private, si dhe emërimet e bëra nxitimthi gjatë periudhës gusht-shtator, që nuk reflektojnë kriteret e përcaktuara nga ligji dhe udhëzimet e Ministrisë së Arsimit”, tha ministrja.

Sipas saj, situata është konfuze, pasi numri i nxënësve në shkolla ka ardhur drejt uljes dhe numri i arsimtarëve që punojnë në shkollat në vend është po ai, madje edhe mbi strukturë.

Institucionet në varësi të Ministrisë së Arsimit janë mbushur me militantë dhe problemi nis nga vetë institucioni, i cili ka punësuar drejtor e përgjegjës me kontrata të përkohshme, pa konkurs, përreth katër vjet.

Institucionet e arsimit janë tejmbushur me militantë apo dhe me njerëz që kanë arritur të fitojnë një status të caktuar, edhe me diploma që janë falsifikuara.

“Në një prej dosjeve të një punonjësi që sot e ka aktualisht statusin e punonjësit civil që punon në një sektor të rëndësishëm që lidhet me IT dhe me i-learming. Kemi një certifikatë notash dhe një temë diplome, ku rezulton që nuk e ka marrë notën 8 dhe nga verifikimi ynë rezulton që e ka 6, dhe të gjitha notat e tjera që ka janë vetëm 5. Ja pra se në çfarë katandie është sot administrata publike në Shqipëri”, referoi ministrja, duke treguar dokumentin e falsifikuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përgjegjësen e sektorit të teknologjisë së informacionit në një prej drejtorive arsimore, e cila, pavarësisht sektorit që drejtonte, kishte mbaruar degën e Gjuhë-Letërsisë.

Top Channel