Vrasja e Laçit, askush nuk e ka parë

14/10/2013 00:00

Vrasja e Laçit rrezikon të mbetet pa autor. Madje, edhe pa dëshmitarë okularë. Asnjë prej të pyeturve nga prokurorët nuk ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndonëse ndodheshin në vendngjarje. Të gjithë dëshmitarët e listuar kanë dëgjuar vetëm krisma, por nuk kanë parë se kush qëlloi.

I marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të rënda për vrasjen e simpatizantit të LSI, Gjon Gjoni, kryetari i Partisë Demokratike të Lezhës, Zef Gjoka ka mohuar para grupit të hetimit të ketë parë autorin apo autorët që qëlluan, pavarësisht se rezulton të ketë qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes përgjatë shkëmbimit të zjarrit.

Dëshmitari ka deklaruar se në të vërtetë ka dëgjuar shumë të shtëna, por nuk ka parë asnjë nga personat që qëllonin, një version ky që rrëzon atë të policisë së Lezhës, që e kishte listuar Gjokën tek dëshmitarët okularë.

Po ashtu është thirrur edhe deputeti i Partisë Demokratike, Mhill Fufi, i cili gjatë shkëmbimit të zjarrit u raportua si një ndër tre të plagosurit, së bashku me Kastriot Fufin e Enver Currin. Por edhe deputeti Fufi thekson se nuk ka parë asgjë nga ajo që ndodhi para shkollës “At Shtjefen Gjeçovi”, pak minuta pasi kishte nisur votimi në këtë qendër.

Aktualisht, nënvizuan burimet për Top Channel, ka mbetur i shpallur në kërkim vetëm Enver Curri, kunati i viktimës. Edhe Curri ka shumë mundësi të jetë lënduar gjatë shkëmbimit të zjarrit atë ditë e po ashtu të ketë parë edhe ngjarjen, thanë burimet.

Megjithatë, kjo mbetet për t’u verifikuar, pasi siç po rezulton deri më tani nga hetimet, të gjithë e kanë patur vështrimin dhe vëmendjen tjetërkund dhe jo aty ku po qëllohej me armë.

Policia nga ana e saj ka listuar 20 persona në cilësinë e dëshmitarëve, por shumica e tyre që jane pyetur deri më tani nuk kanë parë asgjë, përveçse kanë dëgjuar krismat.

Në fakt, kjo dosje u transferua pak muaj pas ngjarjes tek Krimet e Rënda për shkak të vështirësive që paraqet qyteti i Laçit, vështirësi që me sa duket po ndihen edhe këtu në Tiranë.

Top Channel