Konflikt me armë në Gjirin e Lalzit

11/10/2013 00:00

Një investim publik në infrastrukturën rrugore është bërë shkak për një konflikt të armatosur në zonën e Gjirit të Lalzit.

Një nga tre vëllezërit që mbetën të plagosur në konflikt ka ndërruar jetë në spital, ndërsa dy të tjerët janë nën kujdes mjekësor. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15.35 të ditës së premte në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Gjatë një konflikti të ashpër mes bashkëfshatarësh, tre vëllezërit Bushi kanë mbetur të plagosur. 25-vjeçari Albert Bushi, nga fshati Bizë i komunës së Ishmit, ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak, ndërsa është në gjendje të rëndë vëllai i tij 19-vjeçar, F.Bushi. Në konflikt ka mbetur i plagosur edhe vëllai 22-vjeçar i viktimës, A.Bushi.

Krimi paraprakisht mësohet se ka ndodhur pas një konflikti për motive banale. Gjatë punimeve për ndërtimin e një rruge në zonën e Ishmit janë prerë disa pemë dhe pikërisht zotërimi i trungjeve të pishave të prera për përdorim dhe shitje ka nxitur konfliktin ku mbetën të plagosur vëllezërit Bushi.

Burime nga policia bëjnë të ditur se në krim është përdorur armë zjarri e tipit pistoletë. Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes kriminale. Mësohet se pas hetimeve të para policia ka shoqëruar disa persona të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim personin që ka qëlluar me armë ndaj vëllezërve.

Top Channel