Shpëtohet e mitura 9-vjeçare

10/10/2013 00:00

Ka zgjatur vetëm 15 minuta rrëmbimi i një vajze 9-vjeçare, pasditen e së enjtes, në lagjen “Konferenca e Pezës”, në qytetin e Fierit.

Kristjan Binjaku, 22 vjeç, me banim në lagjen “Lirir Gero”, rrëmbeu 9-vjeçaren, teksa ajo ishte duke luajtur me shoqet poshtë pallatit të saj.

Për fatin e saj të mirë, rrëmbimi është vënë re nga një punonjës policie, i cili së bashku me kolegët e tij ishin në aksion për kapjen e një personi, që kishte kryer disa grabitje.

Pasi është përleshur me rrëmbyesin, punonjësi civil i policisë ka mundur të rikthejë vajzën dhe të ndalojë Kristjan Binjakun.

Ai është dërguar në komisariatin e policisë së Fierit, ku do të meret në pyetje për rrethanat e ngjarjes.

Edhe 9-vjeçarja është dërguar në komisariat, së bashku me familjarët e saj, të cilët janë shokuar nga kjo ngjarje. Burimet policore bëjnë të ditur se ka dyshime se i riu kishte qëllime pedofilie ndaj vajzës së mitur.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri falënderoi efektivat e Fierit, që shpëtuan të miturën në aksionin e së enjtes, duke vlerësuar punën e tyre.

Top Channel