Mjekët e Klinikës së Okulistikës në QSUT në bashkëpunim me specialistët e Shëndetit Publik kanë kryer depistime për sëmundjen e syve tek nxënësit e klasave të para në Tiranë.

Vetëm në një prej shkollave 9-vjecare në Tiranë, Skënder Caci janë identifikuar 20 gjashtë-vjecarë që do të ndiqen më pas prej specialistëve, nga 120 fëmijë që iu nënshtruan testeve të kontrollit.

Mësuesja e klasës së parë në këtë shkollë, Liljana Sahani në një prononcim për Top News ka pohuar se ka nxnënës që ankohen gjatë orës së mësimit se nuk shikojnë dhe një arsye është dhe distanca e afërt e bangave me dërrasën e zezë.

Por problemet e shikimit janë shumë më të rënda tek moshat e treta. Shefja e Klinikës së Okulistikës në QSUT, Vilma Mema ka përmendur disa prej sëmundjeve që konstatohen më shpesh tek kjo kategori dhe që sipas saj riparohen në Klinikën e Okulistikës ku punon një staf i specializuar mjekësh okulistë.

Në Ditën Botërore për Mbrojtjen nga Verbimi, bashkë me mjekët okulistë të QSUT kanë marrë pjesë dhe specialistë të shëndetit publik. Drejtori i ISHP, Adrian Hoxha ka theksuar nevojën e  hartimit të një strategjie kombëtare me qëllim marrjen e masave për parandalimin e sëmundjeve që shkaktojnë humbjen e shikimit.

Statistikat zyrtare të ISHP flasin për një shifër prej 10 përqind të fëmijëve të moshës 6 vjec që vuajnë nga problemet e shikimit.

Mjekët thonë se kontrolli i syve tek fëmijët duhet të nisë që në muajin e gjashtë të jetës për të diagnostikuar sëmundje të rënda të shikimit të cilat nëse nuk kapen në kohë, rikuperimi prej tyre është gati i pamundur.

Top Channel