Nënkryetari i komisionit parlamentar të medias, Alfred Peza, deklaroi gjatë një interviste në edicionin qendror të lajmeve në “Top Channel”, se shërbimi i monitorimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, pranë Kuvendit të Shqipërisë, ka përgatitur një raport, që lidhet me Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe televizionin publik.

Fillimisht deputeti Peza shpjegon përse duhet të nisë riformatimi i AMA-s.

“Jemi në kushtet kur 3 prej anëtarëve të AMA-s u ka përfunduar mandati dhe duhen zëvendësuar, ndërkohë që jemi në kushtet e paligjshmërisë pasi edhe kryetarja dhe nënkryetari janë të dy të opozitës. Në këto kushte, duke qenë se kryetari i takon mazhorancës, kemi iniciuar sot zëvendësimin e saj dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, qofshin 3 të AMA-s dhe të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, tha Peza.

Zoti Peza i ka kujtuar kryetares së AMA-s, Endira Bushati, se çfarëdo lloj vendimi i marrë prej institucionit të saj nuk ka asnjë vlerë.

“AMA do të ketë atë pasojë që pati qeveria “Berisha”, me vendimet që mori pas 23 qershorit, të cilat po tjetërsohen dhe po kthehen mbrapsht nga qeveria “Rama”. Është thjesht për konfiguracion, por ka edhe një çështje, që Këshilli Drejtues dhe vet kryetarja e AMA-s, zonja Bushati, është thjesht një kryetare në detyrë, ndaj nuk duhet të marrë vendime, pasi është jashtë shtratit ligjor. Në momentin që merren këto vendime, drejtuesit e rinj të AMA-s, që do të vijnë më pas, sigurisht që do t’i amendojnë dhe do të marrin vendime të tjera”, shtoi më tej Peza.

Sakaq, Peza e quan imediate nisjen e procedurës për zgjedhjen e Këshillit të ri të RTSH-së.

“Këshilli Drejtues i RTSH-së, prej dy vjetësh është jashtë funksioneve të veta ligjore dhe kjo është baza për fillimin e punës për ndryshime në RTSH”, theksoi Peza.

Nënkryetari i komisionit parlamentar të medias ka kërkuar nga drejtuesit e AMA-s the RTSH-së, që të qëndrojnë në detyrë, por mos përfshihen në vendimmarrje.

***

Kërkesa e deputeti Peza bazohet në disa aspekte, qe lidhen jo vetem me përfundimin e mandatit të tyre, por dhe në performancën e dobët dhe shkeljet e mëdha te ligjit të konstatuara në punën e tyre.

Endira Bushati drejton AMA-n në shkelje të ligjit duke marrë vendime nga anëtarë që u ka përfunduar mandate, ndërkohe që anëtaret e mbetur nga ana tjetër nuk reflektojnë ndryshimin e raporteve në Kuvend pas zgjedhjeve te 23 qershorit, e ku prej me shume se një viti AMA po funksionon e cunguar me mungese anëtaresh apo me anëtare që nuk kanë mandat.

Nënkryetari i Komisionit të Mediave, zoti Peza deklaroi në komision se zonja Bushati ka dëshmuar klientelizëm të skajshëm në dhënien e licencave për operatorë afër pushtetit dhe diskriminimin e tregut duke e vënë në kushte të pabarabarta.

Disa frekuenca kombëtare u zaptuan dhe legalizuan, të tjerëve u ndalohen dhe licenca lokale duke u vënë në shërbim të një grupi mediatik si ushtarë, deklaroi ne komision zoti Peza.

Ilir Paço, “Top Channel” – Zoti Peza, ku bazohet fillimi i procedurës për zëvendësimet e krerëve të AMA-s dhe RTSH-së?

Alfred Peza, deputet PS – Kjo procedurë bazohet në ligj, pasi ai përcakton qartë rregullat e mirëfunksionimit të institucionit. Komisoni që u mblodh për herë të parë sot pati mbi tavolinë një raport nga një institucion, Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të pavarura kushtetuese dhe në këto raporte i tërhiqet vëmendja deputetëve dhe anëtarëve të komisonit, duke dhënë informacionin se të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së u ka përfunduar mandati shtatë prej dy vitesh, tre prej një viti dhe një anëtar ka katër vjet pa mandat. Pra, Këshilli Drejtues i RTSH-së është prej dy vitesh jashtë funksioneve të veta ligjore dhe kjo është baza për fillimin e punës në ndryshinet në RTSH. E njëjta situatë konstatohet tek AMA, pasi zgjedhjet e 23 qershorit sollën një raport të ri mazhorancë-opozitë dhe ligji përcakton se nga shtatë anëtarë që drejtojnë këtë institucion, raporti duhet të jetë 3 opozita, 3 mazhoranca dhe drejtuesi një anëtar i mazhorancës. Tre anëtarëve të AMA-s i ka mbaruar mandati dhe institucioni ndodhet në kushtet e paligjshmërisë, pasi edhe kryetarja edhe nënkryetari janë të dy të opozitës. Duke qenë se kryetari i takon maxhorancës, kemi inicuar sot procedurën e zëvendësimit të saj dhe të anëtarëve të tjerë.


Ilir Paço – Çfarëe pasojash do të ketë nëse do të merren vendime pa e nevojshëm?

Alfred Peza – AMA do të ketë atë pasojë që po vuan edhe qeveria Berisha, me vendimet e 23 qershorit që po tjetërsohen dhe kthehen pas sepse është thjesht për figuracion dhe ka një çështje, që Këshilli Drejtues dhe vetë kryetarja e AMA-s, Bushati është thjesht në detyrë e s’duhet të marrë vendime pasi ndodhen jashtë shtratit ligjor. Nëse vendime të tilla do të merren, drejtuesit e rinj legjitimë të AMA-s sigurisht që do t’i amendojnë këto vendime.


Ilir Paço – Sa do zgjasë procedura për zëvendësimin e krerëve dhe anëtarëve të këtyre dy institucioneve?

Alfred Peza – Ka dy procedura të ndryshme, AMA e ka më të shpejtë për ndryshim dhe zëvendësim. Në mbledhjen e ardhshme të Komisonit të Medias do të shqyrtojmë procedurën ligjore, e do e fusim në kalendarin e parlamentit dhe në ditët e javët e ardhshme do të operojmë në komision dhe parlament për ndryshimin. RTSH ka procedurë më të zgjatur, ka më shumë hallka për t’u kaluar dhe më shumë  vendimmarrje, pasi për të dhjetë anëtarët ka një procedurë një-mujore nga momenti i shpalljes së fillimit të procesit dhe secili nga dhjetë anëtarët përzgjidhet një nga katër kandidat. Pra është komisoni që zgjedh 40 anëtarë, nga të cilët marrin detyrën 10 dhe pastaj zgjidhet një kryetar dhe aty nis procedura edhe për caktimin e drejtorit. i ftoj drejtuesit e të dy institucioneve të qëndrojnë në detyrë, por të mos marrin asnjë vendim, që sjell pasoja për mbarëvajtjen e instutucioneve, pasi këto vendime do të anullohen menjëherë më pas.

Top Channel