Dy ditë para se parlamenti të zgjedhë kryetarin e ri të Entit
Rregullator të Energjisë Elektrike, Sahit Dollapi ka dhënë dorëheqjen si
administrator i kompanisë CEZ.

“Pas 9 muaj të administrimit të përkohshëm, Qeveria ka vendosur t’i japë fund kësaj periudhe tranzitore, me kërkesë të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike për nisjen e procedurave të shtetëzimit të kompanisë. Si një njohës me eksperiencë i sistemit energjitik dhe duke i qëndruar besnik bindjes sime se zgjidhja përfundimtare është privatizimi dhe liberalizimi i tregut, unë kam vendosur t’i paraqes Entit Rregullator dorëheqjen time nga detyra e administratorit të CEZ Shpërndarje”, tha Dollapi.

“I propozoj bordit të Komisionerëve që ne të mblidhemi për të konsideruar vendimin e Dollapit dhe për të marrë masat për vijueshmërinë e mëtejshme për pozicionin”, tha Shkëlqim Bozgo, kryetar i Komanduar i ERE-s.

Para se të komunikonte dorëheqjen, zoti Dollapi bëri një prezantim të hollësishëm mbi gjendjen e CEZ, ku është kujdesur të vërë në dukje se gjatë 9 muajve nën drejtimin e tij, treguesit e kompanisë u përmirësuan.

“Humbja operative, diferenca është nga 16.7 miliardë vitin e kaluar, këtë 9-mujor është rreth 10 miliardë më pak. Gjatë kësaj kohe ne kemi hedhur energji më shumë në rrjetin e konsumatorëve kemi faturuar më shumë duke përmirësuar dhe ruajtur nivelin e humbjeve”, tha Dollapi.

Të enjten maxhoranca e majtë pritet të zgjedhë në Kuvend, kryetarin e ri të Entit Rregullator të Energjisë, institucionit që emëron administratorin e CEZ-it. Do të jetë pikërisht kreu i ri i ERE-s ai që do të emërojë pasardhësin e zotit Dollapi.

Pritet shpronësimi i çekëve

Kompania CEZ ndodhet prej 9 muajsh në një situatë të pazakontë ligjore, ku edhe pse administrohet nga shteti zyrtarisht është në pronësi të privatëve çekë. Në fillim të këtij viti, kur vendosi ta largojë grupin çek nga menaxhimi i shpërndarjes, Qeveria shqiptare nisi paralelisht edhe procedurat për shpronësimin e saj, një kërkesë kjo e diktuar nga ligji. Por procesi ka ecur me ritme shumë të ngadalta.

Burime i thanë Top Channel se deri më tani janë përcaktuar vetëm dy kompanitë që do të bëjnë vlerësimin e aseteve dhe gjendjes financiare të CEZ, një parakusht për shpronësimin e saj dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes në gjykatën e arbitrazhit.

Top Channel