Me nisjen e vitit të ri akademik, universitetet në mbarë vendin filluan edhe regjistrimin e kandidatëve për plotësimin e vendeve të mbetura bosh nga regjistrimet e fazës së parë.

Regjistrimi i këtyre studentëve do të kryhet në javën e parë të fillimit të vitit akademik nga data 7 tetor deri në 13 tetor 2013.

Fituesit e publikuar në lista duhet të prezantohen personalisht në sekretarinë mesimore të fakultetit ku janë shpallur fitues dhe duhet të dorëzojnë dokumentat e përcaktuar nga Ministria e Arsimit.

Cdo kandidat duhet të paraqesë një dosje me fotokopjen e një mjeti identifikimi të panoterizuar, 2 fotografi dhe mandatin e arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh në llogari të fakultetit përkatës, që mund të bëhet edhe në zyrat e Postës Shqiptare.

Sipas urdhërit të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve, kandidati pasi dorëzon dokumentet e mësipërme, duhet të firmosë listën e konfirmimit në Sekretari. Me pas ai pajiset me fletën e regjistrimit në programin e studimit ku është shpallur fitues.

Studenti që nuk i kryen këto procedura gjatë javës së parë të fillimit të vitit akademik, ashtu sic përcaktohet edhe në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, konsiderohet i paregjistruar dhe e humbet këtë program studimi.

Gjatë këtij procesi që do të zgjasë deri më 13 tetor, një detyrë të vecante kanë edhe sekretarite mësimore të cilat janë udhëzuar që me kujdes të pasqyrojnë në sistem të gjithë studentët që dorëzojnë dokumentet dhe për rrjedhojë do të vijojnë studimet në programin përkatës.

Me përfundimin e kësaj faze regjistrimi në fakultete, mendohet se kuotat e përcaktuara për secilin prej tyre do të plotesohen.

Ndërkohë, cdo student nuk duhet të anashkalojë pajisjen me fletën e regjistrimit, pasi është ai dokumenti që vërteton regjistrimin në degën e kërkuar nga secili kandidat.

Top Channel