Mjekët irlandezë në gjyq

07/10/2013 00:00

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dy mjekët irlandezë, të cilët pritet të gjykohen për mjekimin e pakujdesshëm në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e 11-vjeçarit Denis Alimadhi.

Të pandehurit Kevin Klarkson dhe Gerald Fahy janë hetuar pa masë sigurimi personal, çka do të thotë që ka shumë mundësi që edhe gjykimi i tyre të zhvillohet në mungesë.

Prokuroria thotë se autoritetet janë njoftuar për vdekjen e Denisit pas një ndërhyrjeje kirugjikale estetike në sy, në spitalin francez në Tiranë.

Por prokuroria shton se, sipas ekspertizave, duhet të ishin marrë të gjitha masat për shmangien e një reaksioni nga narkoza, siç edhe ndodhi në rastin konkret, ku përfshihej edhe sëmundja e hipertermisë malinje.

Në rastin e Denisit, sëmundja e hipertermisë u shfaq në prag të përfundimit të operacionit, konkludon prokuroria. Në këtë moment duhej të përdorej sa më shpejt mjekimi specifik, dentrolen, i cili nuk u aplikua, pasi në spital nuk kishte.

Neglizhenca e dy mjekëve irlandezë konsiston, sipas prokurorëve, në mungesën e sigurimit të të gjitha medikamenteve përpara se të fillonin operacionin.

Top Channel