Mbajtja e dorezave metalike, adoleshentët rrezikojnë burgun

07/10/2013 00:00

Gjithkush në adoleshencë, nëse nuk ka mbajtur, të paktën ka dëgjuar dhe
parë shokët që mbajnë doreza metalike. Këto doreza tashmë mund të
gjenden edhe në treg të zi, megjithëse tregtimi dhe shitja e tyre
ndalohet me ligj.

Më parë ky send, që cilësohet tashmë si armë e ftohtë, prodhohej nga adoleshentët, me copa hekuri apo kauçuku. Më pas merrej në shkollë, lokal apo stadium. Tashmë, Policia e Tiranës ka kryer dhjetëra arrestime për personat që mbajnë të tilla sende në duar apo xhepa.

Ndërkohë që prokuroria është urdhëruar që personat që mbajnë këto “armë” të vihen nën akuzë, madje dosjet të dërgohen me të gjitha provat në gjykatë. Një gjë e tillë, pra ashpërsimi i masave kundrejt kontingjentit që mban të tilla sende me vete, ka ardhur si pasojë e sherreve masive në Tiranë, ku të rinjtë kanë përdorur edhe këto doreza, të cilat shkaktojnë dëmtime serioze.

Shpeshherë personat që janë goditur me të tilla doreza kanë përfunduar në spital pa ndjenja dhe plagë të mëdha, kryesisht në kokë. Gazeta “Shqip” ka pyetur për këtë fenomen në prokurori, ku ka marrë përgjigjen se të gjitha rastet e ardhura nga policia janë dërguar në gjykatë, në pritje të gjykimit. Ndërkohë, në njoftimet e policisë, lajmërohen shpeshherë arrestimet e të rinjve. Tri ditë më parë, në komunikatën për shtyp të Policisë së Tiranës, thuhej se u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Fatmir N., 20 vjeç. Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e policisë, rreth orës 02:30, në rrugën “Tasim Shehu”, iu gjet dhe iu bllokua një dorezë hekuri, të cilën e mbante pa leje.

Gazeta “Shqip” ka kryer një vëzhgim të vendimeve të fundit të gjykatës për akuzën e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta. Vendimet e fundit janë pothuajse për të gjithë këtë kontingjent personash që mbajnë doreza hekuri. Kodi Penal, për mbajtjen e këtyre sendeve, parashikon një dënim nga gjobë deri në pesë vite heqje lirie. “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta pa leje të organeve kompetente, si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, dënohen me gjobë apo me burgim deri në pesë vjet”, thuhet në nenin 279 të Kodit Penal.

VENDIMET E GJYKATAVE

 

Tifozi me dorezë hekuri

Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre muaj burgim një tifoz 18-vjeçar të ekipit të Flamurtarit, i cili është kapur gjatë kontrollit në hyrje të stadiumit. Sipas vendimit të gjykatës, Françesko T. është banor i Vlorës dhe vazhdon studimet e larta në qytetin e Tiranës. Më datë 16 mars 2013, rreth orës 14:00, punonjësit e policisë kanë qenë në shërbim në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi” në qytetin e Tiranës për të siguruar mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli midis ekipeve Tirana–Flamurtari. Në momentin që i pandehuri ka tentuar të futet në ambientet e stadiumit, nga ana e policisë është ushtruar kontroll fizik rutinë i të gjithë tifozëve. Gjatë kontrollit, të pandehurit i është gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike dhe mbi këtë fakt është bërë shoqërimi në komisariat dhe kanë nisur procedurat hetimore. Nga akti i ekspertimit teknik ka rezultuar se doreza që i është gjetur të pandehurit plotëson kushtet teknike të armëve të ftohta. Akuzën e ka pranuar edhe i pandehuri, që gjatë gjykimit ka pohuar se pranon të dënohet me kusht vetëm që të mos humbë studimet e larta. Gjykata e dënoi me tre muaj heqje lirie, të cilën ia pezulloi që 18-vjeçari gjatë 18 muajve të mos kryejë vepër penale.

 

Doreza në shkollë

Policia e Tiranës, në datën 1 shkurt të këtij viti, ka kryer një kontroll në shkollën e mesme të përgjithshme “Arben Broci” në Tiranë. Punonjësit e autopatrullës kanë kapur në flagrancë Ergys H. me një dorezë metalike (përforcuese grushti) me ngjyrë të zezë në formë kurore, me katër hapësira në formë rrethi, të cilën e mbante në xhepin e xhupit. Sendi është sekuestruar si provë materiale dhe iu nënshtrua aktit të ekspertimit, që e nxori si armë të ftohtë. Ai u dënua me katër muaj burg, të cilin e kreu si kohë paraburgimi.

 

“Dorezën e gjeta në rrugë”

Një nga rastet e paraqitura në gjykatë ka qenë edhe për të pandehurin Blerim B., 22 vjeç. Rezulton se ai është kapur më datë 17 shkurt 2013. Në këtë ditë, rreth orës 20:20, shërbimet e policisë të autopatrullave “Shqiponja” kanë ushtruar kontroll personal ndaj Blerimit, i cili ka qenë duke qëndruar në Rrugën e Barrikadave. Gjatë kontrollit që i është kryer, në xhepin e brendshëm të xhupit i është gjetur një përforcuese grushti, metalike, me ngjyrë gri. I pyetur rreth këtij fakti, ai ka deklaruar se përforcuesin e kishte gjetur rastësisht, duke ecur në rrugë. Nga kurioziteti e kishte marrë dhe e kishte futur në xhep. Por, pas pak çastesh atë e ka kontrolluar policia, e cila ia ka gjetur përforcuesin në xhep. Fillimisht ai është arrestuar, por më pas është liruar nga gjykata. Në momentin e gjykimit, Blerimi nuk është paraqitur dhe si rrjedhojë gjykata e ka dënuar me 6 muaj burg.

 

Arrestimi në rrugën “Berisha”

Një patrullë e Policisë së Kamzës, në datë 6 mars 2013, rreth orës 20:00, ka patrulluar në rrugën “Berisha”. Qëllimi i patrullimit ka qenë të kontrollonin automjetet që kalonin në këtë rrugë, ku ka kaluar edhe automjeti tip “Golf” që drejtohej nga shtetasi Ermal M. Patrulla e Policisë ka bërë kontrollin e automjetit dhe në kroskotin e makinës i është gjetur një dorezë metalike boksi. Doreza e paraqitur objekt ekspertimi i plotëson kushtet teknike të armës së ftohtë pa teh goditëse-dërrmuese.

I pyetur në hetimet paraprake dhe në gjykatë, i pandehuri e ka pranuar plotësisht akuzën që i është bërë dhe është treguar i penduar. Ai është dënuar me 1 milion lekë të vjetra.

 

Dënimi i maturantit

Një 18-vjeçar, maturant i shkollës së mesme “Eqrem Çabej”, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg, por që më pas i është pezulluar që të mos kryejë vepër tjetër penale apo të shoqërohet me kontingjent kriminal. Sipas vendimit, më datë 10 shkurt 2013, rreth orës 17:00, Fatjon P., në atë kohë nxënës i klasës së 12 të shkollës së mesme “Eqrem Çabej”, është kapur nga patrulla e përgjithshme e policisë e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, në vendin e quajtur Piramida. Me vete i është gjetur një dorezë metalike, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale dhe i është nënshtruar ekspertimit teknik, që e nxori armë të ftohtë. Gjatë hetimit, i pandehuri ka deklaruar se këtë dorezë e kishte gjetur atë ditë te Kodrat e Liqenit Artificial, duke bërë vrap.

 

Top Channel