E moshuara vdiq në lulishte, nipi strehohet në azil

07/10/2013 00:00

Bashkia e Durrësit ka strehuar në azilin e të moshuarve Llazi Qendron,
nipin e 87-vjeçares që vdiq dy ditë më parë në lulishten e qytetit
bregdetar, pasi u detyrua të largohej nga banesa ku kishte jetuar prej
vitesh.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi sot se akti normativ i kundërshtuar nga socialistët, ka nxjerrë shumë të pastrehë. Sipas Dakos, dy të moshuarve u është ofruar një banesë nga një biznesmen, por ata nuk kanë pranuar të jetojnë atje me pretendimin se ishte shumë larg.

Dako theksoi se banesat sociale në Durrës nuk janë shpërndarë ende dhe për pasojë, të moshuarve nuk mund tu sigurohej një shtëpi. 87-vjeçarja Sofie Qëndro, së bashku me nipin e saj 67-vjeçar prej 6 javësh jetuan në një stol para Bashkisë së Durrësit. I ftohti i ditëve të fundit çoi drejt vdekjes të moshuarën, e cila dy ditë më parë mbërriti në gjendje kome në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku dhe ndërroi jetë.

Top Channel