OSBE, manual për pikat e kalimit kufitar

04/10/2013 00:00

Ditën e premte është prezantuar në Tiranë “Manuali i Praktikave më të
mira në Pikat e Kalimit Kufitar – Këndvështrimi për Lehtësimin e
Tregtisë dhe Transportit”, i përgatitur nga Organizata për Siguri dhe
Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komisioni Ekonomik i Kombeve të
Bashkuara për Evropën.

Ky manual praktik për pikat e kalimit kufitar do t’u shërbejë agjencive shtetërore edhe për ato private që operojnë në vend.

Në takimin e zhvilluar në hotel ‘Sheraton’ merrte pjesë ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Florian Rauning, i cili në fjalën e tij theksoi se OSBE është e gatshme të ofrojë asistencën e saj që këshillat ek ëtij manuali të vihen në praktikë, duke shtuar se siguria e kufijve është një nga elementet bazë të funksionimit të shtetit.

“Duhet të siguroni që kufijtë të jenë sa më të sigurt, por dhe aq të kalueshëm sa të jetë e mundur. Por ata duhet të ndihmojnë popujt që të afrohen. Prandaj transporti dhe tregtia janë mjetet më të mira që ne mund të përdorim në ndihmë të tyre”, tha Rauning.

Nga ana e saj, drejtoresha e përgjithshme e doganave, Elisa Spiropali, theksoi gjithashtu rëndësinë e kontrollit dhe sigurisë së kufijve, ndërsa shtoi se për të arritur këtë po bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e qeverisë së re për të përmirësuar administratës doganore.

“Vendi ynë ka qenë i njohur për kufij të ashpër, mbetet ende shumë për të bërë. Kufijtë duhet të jenë të sigurt, por të mos trembin ata që i përdorin, tregtarët, emigrantët. Është detyrë shumë e madhe e administratës për të përmirësuar situatën dhe për të lehtësuar kalimin në kufi dhe zhvillimin tregtar. Manuali është tërësor, i praktikave më të mira dhe do të shikojmë si të thellojmë më tej dhe të kërkojmë asistencë në këtë fushë”, tha Spiropali.

Top Channel