Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli mori pjesë në Ministerialin e
Mbrojtjes SHBA – Kartë e Adriatikut që u mbajt në Slloveni.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve pjesëmarrëse në këtë Ministerial konfirmuan edhe njëherë rëndësinë e procesit të integrimit Euro-Atlantik për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në vendet e Evropës Juglindore.
 
Në takim iu kushtua një rëndësi e veçantë rolit të Shqipërisë, Kroacisë dhe SHBA, si vende anëtare të NATO, në mbështetjen që po i japin vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë iniciativë në procesin e integrimit në NATO apo struktura të tjera rajonale.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë znj. Mimi Kodheli, u shpreh se Shqipëria është e angazhuar në Afganistan dhe do të vazhdojë të kontribuojë, duke bashkëpunuar ngushtë me vendet e tjera për të mbështetur qeverinë afgane në forcimin e sigurisë dhe rimëkëmbjen e institucioneve.

Shqipëria në vitin 2014 do të marrë Presidencën e radhës të Iniciativës së SHBA-Karta e Adriatikut (A 5). Kjo është hera e parë që Presidenca merret për një periudhë 1 vjeçare, pasi deri më tani ndahej ndërmjet shteteve çdo 6 muaj.

Top Channel