Lushnje, mungon gjaku për talasemikët

01/10/2013 00:00

Në Bankën e Gjakut në Lushnje kërkesat janë tre deri në katër herë më të mëdha se sa mundësitë. Personat që vuajne nga talasemia paraqiten në këtë qendër cdo 21 dite dhe është një numër i konsiderueshëm që e ka jetike transfuzionin e gjakut për të jetuar.

Drejtuesit e Bankës së Gjakut kërkojnë ndihmë urgjente. Ata pothuajse gjithmonë kanë qenë në emergjencë, por situata së fundmi është rënduar edhe për shkak të mungesës së fondeve për të blerë gjak nga persona që e shesin atë.

“Kemi shumë vështirësi, sidomos tani që fillon sezoni i ri, fillon shkolla, nis puna. Ne gjithë sa kemi kemi dhurimet vullnetare. Ne do të vemi kudo, vetëm të na japin gjak. Burime për ta paguar kemi pak, shumë pak. Ne kemi vështirësi se krahas të sëmurëve talasemik kemi edhe urgjencat e maternitetit dhe kirurgjisë”, thotë Mehmet Xhindolli, drejtori i Bankës së Gjakut në Lushnje.

“Sado që kemi bërë sensibilizim, dhurimet kanë qenë të pakta, 5-6 veta”, thotë Donika Azizi, laborante.

Ata që e vuajnë më shumë këtë situatë janë talasemikët që shkojnë me shpresë në bankë për të gjetur grupin e duhur të gjakut.

“Tani rrimë në radhë. Pardje isha këtu dhe nuk më dhanë”, thotë një talasemik.

“Kam dy muaj që nuk kam marrë dhe nuk kam qenë mirë. Unë marr gjak cdo dy javë”, thotë një tjetër talasemike.

Nuk janë të paktat rastet që talasemikët kthehen në shtëpi pa e marrë gjakun që ju duhet. Kjo bën që shëndeti të rëndohet, ndërsa kostot shtohen sepse pjesa më e madhe e tyre udhëtojnë nga Elbasani, Berati e Fieri për të shkuar në Bankën e Gjakut.

Top Channel