Fajtor për djegien e shokut

01/10/2013 00:00

Gati një vit pas grevës së ish të përndjekurve politikë në Tiranë, gjykata e konsideroi plagosjen me djegie të Gjergj Ndrecës nga shoku i tij Perikli Shqevi si një mjet i përdorur nga grevistët në mënyrë që të dëgjoheshin kërkesat e tyre nga qeveria.

Ky ishte motivi, që sipas trupës gjyqësore, i pandehuri Perikli Shqevi i vuri flakën shokut të tij Ndreca, ngjarje për të cilën 56-vjeçari më pas u gjykua nga drejtësia për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

“I pandehuri ka vepruar me dashje direkte pasi ai kishte të qartë që i dëmtuari sapo ishte lyer me një lëndë djegëse që ndizej lehtësisht dhe që intensiteti i flakëve do dëmtonin rëndë shëndetin e të dëmtuarit. Nisur nga fakti si i pandehur, i dëmtuari dhe shumë shokë të tyre prej shumë ditësh ndodheshin në një grevë urie me qëllim përmbushjen e të drejtave të tyre, gjykata vlerëson se dëmtimi i shëndetit të pjesëmarrësve në grevën e urisë, duke përfshirë edhe veprimin me anë të djegieve dhe vetëdjegieve ka qenë një mjet për arritjen e kërkesave të përsonave pjesëmarrës në grevë. Duke qenë kështu, dëmtimi i shëndetit të të dëmtuarit Gjergji Ndreca ka qenë një mjet proteste dhe ky ka qenë qëllimi dhe motivi i kryerjes së veprës nga i pandehuri Perikli Shqevi”, sqaron gjykata.

Duke e konsideruar fajtor gjykata e dënoi me 3 vjet e gjashtë muaj burg, por që sipas treshes gjyqësore në referim të parimeve të humanizmit dhe rehabilitimit, burgu i konvertohet me tre vjet shërbim prove.

“Në rastin konkret, nisur nga mosha dhe mënyra e jetesës së të pandehurit gjykata vlerëson se do të ishte një vendim human pezullimi i dënimit të tij duke dhënë mundësinë që nëpërmjet një periudhe prove prej 3 vitesh, të dëshmojë se ai është rehabilituar dhe se nuk është i nevojshëm izolimi i tij nga shoqëria. Në zbatim të nenit 389 të Kodit të Procedurës Penale mqs pezullimi i dënimit është urdhëruar, gjykata urdhëron që masa e sigurisë arrest në shtëpi të mos zbatohet ndaj të pandehurit Perikli Shqevi”, vendosi gjykata.

Megjithatë, Perikli Shqevi, sic edhe ka deklaruar përgjate seancave, edhe në dalje të vendimit kërkoi të njëjtën gjë, pafajësinë.

“Mendoj që unë jam i pafajshëm dhe do ta kërkoj pafajësinë”, tha ai.

Top Channel