Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

01/10/2013 00:00

1 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Në Tiranë kjo ditë u shoqërua me disa aktivitete në nder të personave të moshës së tretë.

Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë organizoi të martën një aktivitet, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të shoqërisë civile, drejtues të shërbimit social shtetëror dhe artistë e figura të njohura të ekranit dhe skenës.

Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve, Hysni Kuka tha se stafi që ai drejton do të bëjë të pamundurën për të rritur cilësinë e jetës së të moshuarve që jetojnë në këtë shtëpi.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, Ilirjan Cuko. Ai shprehu mbështetjen e qeverisë për personat e moshës së tretë të cilët meritojnë një vëmendje të vecantë.

“Unë personalisht në vlera njerëzore, shoqërore por edhe në pozitat si një funksionar shteti jam shumë i angazhuar dhe garantoj vëmendjen time ndaj jush për të bërë në vazhdim gjithcka dhe më mirë. Ne kemi detyrimin ligjor që të jemi pranë jush me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që na vihen në dispozicion”, tha zoti Cuko.

Kërkesat për t’u akomoduar në Shtëpinë e të Moshuarve, sipas drejtorit Hysni Kuka vijnë gjithnjë e në rritje. Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë prej një viti i është nënshtruar rikonstruksionit i cili ka bërë të mundur shtimin e kapacitetit për akomodimin në këtë shtëpi nga 32 në 50 persona.

Top Channel