Mamurras, pezullohen efektivët e policisë

29/09/2013 00:00

Me urdhër të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u pezulluan nga detyra të gjithë efektivët e Policisë së Mamurrasit të cilët nuk ndërhynë në dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarëve të ndeshjes së futbollit Mamurrasi-Albpetrol, si edhe ata që nuk i dhanë ndihmën e shoqërimit për në spital me pretekstin se nuk kishin mjete.

Ndërkohë që nga ana e Komisariatit numër 3 në Tiranë, ku u krye edhe denoncimi, ka nisur procedimi penal dhe janë shpallur në kërkim tre shtetas që ushtruan dhunë ndaj gjyqtarëve të futbollit, mes të cilëve edhe presidenti i klubit të futbollit të Mamurrasit, Dedë Ndreca.

Burime të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se do të ketë masa të ashpra ndaj punonjësve të policisë të cilët nuk ndërhyjnë për të ndalur dhunën në futboll në vend.

Top Channel