Kuçovë, grabitje si në filma

29/09/2013 00:00

Katër persona përdorën veshje të policisë për të grabitur një argjendari në qendër të Kuçovës. Duke u shitur si agjentë të antidrogës, katër të rinjtë shokuan pronarin e argjendarisë dhe e kontrolluan dyqanin e tij me pretekstin e lëndëve narkotike.

Personat morën pjesën më të konsiderueshme të floririt dhe argjendit, madje dhe gurë të çmuar, unaza, ora dhe u larguan nga objekti. Vetëm kur ka kuptuar rrengun, pronari i argjendarisë ka njoftuar policinë duke dhënë alarmin. Pas hetimeve të shpejta policore, rezultoi se katër autorët udhëtuan me një mjet dhe më pas e dogjën, por lanë gjurmë dhe prova të shumta në vendin e ngjarjes.

Policia tha se pronari i mjetit u zbulua për shkak se ende ruhej numri i shasisë së saj.

Në polici u shoqëruan dy të dyshuar, ndërkohë që janë duke u kërkuar edhe dy të tjerë. Policia nuk bëri të ditur emrat e të dyshuarve pasi është në kërkimin e të tjerëve pjesëmarrës në këtë grabitje.

Materialet janë dërguar për zbardhje të mëtejshme në Prokurorinë e qarkut Berat dhe sipas policisë, kapja e autorëve është çështje orësh.

Ndërkohë, janë duke u ushtruar kontrolle të shumta në zonë si edhe janë ngritur postblloqe për të ndaluar autorët e këtij krimi.

Top Channel