Plagosja në Tiranë, identifikohen autorët

26/09/2013 00:00

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe njëkohësisht ka shpallur në kërkim tre persona që dyshohet të jenë autorë të plagosjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një lokal pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”.

Personat e identifikuar janë Stivens Lasi, 18 vjeç, Sadjon Çika, 23 vjeç dhe Ensi Strataj, 22 vjeç. Sipas policisë personat e lartpërmendur janë përpjekur të vrasin me armë zjarri shtetasin Ndriçim Koka, 22 vjeç, ndërsa nga të shtënat Koka ka mbetur i plagosur së bashku me një shtetas tjetër, Klodian Shabanaj, që ishte kalimtar i rastësishëm.

Të dy të plagosurit aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Paralelisht me shpalljen në kërkim, policia ka dërguar materialet pranë prokurorisë për tre të dyshuarit, Lasi, Çika dhe Strataj të cilët akuzohen për veprën penale për vrasjen me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Top Channel