Fyle: 21 janari, presim drejtësi

20/09/2013 00:00

Për Komisionin Europian, çështja e 21 Janarit ofron shansin për të forcuar besimin mbi sundimin e ligjit dhe funksionimin e duhur të institucioneve demokratike në Shqipëri.

E pyetur nga TCH nëse vendimi i Gjykatës së Apelit përbënte “një proces të besueshëm”, siç kërkonte raporti i fundit i progresit dhe se si do të reflektohej një vendim i tillë në raportin e radhës, zyra e shtypit e Komisionerit për Zgjerim jep këtë shpjegim:

“Komisioni është në dijeni për vendimin e së mërkurës nga Gjykata e Apelit mbi çështjen e 21 Janarit. Sipas praktikës së tij standarte, Komisioni nuk është në pozita për të komentuar vendimet e gjykatave.

Komisioni vëren se prokuroria mund të parashtrojë ankesën ndaj vendimit në Gjykatën e Lartë. Thënë këtë, Komisioni rithekson se kjo çështje ofron një shans për të forcuar besimin në sundimin e ligjit dhe funksionimin e duhur të institucioneve demokratike në Shqipëri.

Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe i përgjegjshëm, i aftë për të garantuar gjykime të drejta është një dëshirë legjitime e qytetarëve shqipëtarë dhe një element thelbësor për një sundim të fortë të ligjit, një parakusht ky për rrugën drejt integrimit europian”, thotë përgjigjia.

Kjo çështje pritet të përmendet në raport-progresin e tetorit, në kuadrin e gjyqësorit. Reforma e drejtësisë përbën një prej 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Top Channel