Mbi 180 gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, Qeverisë dhe
akademikë të rajonit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nisën në Tiranë
konferencën e tretë dyditore për lirinë e medias organizuar nga OSBE-ja.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç dha alarmin për përkeqësimin e lirisë së medias në rajon kur tha: “Situata e medias është përkeqësuar ne të gjithë rajonin. Nuk ka dyshim për këtë. Zyra ime ka ndërhyrë në shumë raste, kur liria e medias është dëmtuar më shpesh se në të shkuarën. Këtu përfshihet edhe Ballkani perëndimor. Gazetarët dhe media është duke u përballur me probleme, të cilat nuk po përmirësohen. Gjithnjë e më shumë unë jam duke ngritur të njëjtën çështje, që do të thoja është një histori e vjetër me autoritetet shtetërore dhe shoqërinë civile. Gazetarë që kërcënohen, përndiqen, goditen dhe burgosen.Këtu në Tiranë jamë shumë e inkurajuar nga deklaratat e Qeverisë së re dhe jam e gatshme të bashkëpunoj për ta çuar më përpara situatën e medias në këtë vend.”

Zonja Mijatoviç lëshoi krtitika për televizionet publike në rajon dhe vonesat me transmetimet dixhitale.

“Televizionet publike në të gjithë rajonin kanë probleme që lidhet me burimet njerëzore dhe përballen me mospasjen e lirisë editoriale dhe financiare. Kalimi në transmetimet dixhitale nuk është në nivelet e duhura, duke e kthyer rajonin në një pikë të zezë të transmetimeve analoge në mes të Europës”, tha Mijatoviç.

‘Media aktualisht po luan një rol të rëndësishëm në Shqipëri, – tha ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, – si një nga shtyllat kryesore të sistemit demokratik në vend. Vrojtimet publike, – theksoi ai,- deshmojne se media është institucioni më i besuar nga publiku në luftën kundër korrupsionit.”

Në këtë konferencë, ai shprehu angazhimin e Qeverisë së re për t’i dhënë fund praktikave klienteliste me reklamat qeveritare. Ministri Bushati shprehu shqetësimin në mënyrën se si është duke funksionuar Autoriteti Mediave Audiovizive.

“Na duhet te çlirojmë Autoritetin e Medias Audiovizive (AMA) nga kontrolli politik, në favor të performancës profesionale, me qëllim që t’u ofrojmë të gjithë transmetuesve vendorë e kombëtarë trajtim të njëjtë para ligjit. Ne jemi të vetëdijshëm që koha nuk pret më në procesin e kalimit nga procesi analog në dixhital. Me afrimin e vitit 2015 duhet përshpejtuar procesi i dixhitalizimit mbi bazën e përvojave dhe mësimeve të nxjerra nga fqinjët tanë. Kodi i Ministrave, i miratuar në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave ndalon cdo ministër që të përdorë fondet publike për reklama të karakterit politik. Qeveria e re do të krijojë kushte rtë favorshme për një bashkëpunim të frytshëm me aktorët e shoqërisë civile për miratimin e një ligji që mundëson transperencën dhe aksesin e informacionit, në përputhje me zhvillimet e përditshme,” theksoi Bushati

Robert Wilton, kreu i komanduar i misionit të OSBE-së në Tiranë u shpreh se kjo konferencë synon fuqizimin e praktikave që shërbejnë në informimin sa më drejtë për qytetarët. Duke u ndalur në situatën e medias në Shqipëri, zoti Wilton deklari se qasja e qeverisë së re ndaj medias është ambicioze, por kujtoi se procesi dixhitalizimit duhet të përfundojë në 2015-n.

Top Channel