Ekspertizë amerikane pranë MPJ

19/09/2013 00:00

Pas vizitës në Bruksel dhe përpara asaj në SHBA të kryministrit Rama, ambasadori i këtij vendi është takuar me shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati, i cili i është drejtuar Arvizut me kërkesën për ekpertizë amerikane të atashuar pranë MPJ-së, për një projektim më të mirë dhe më të drejtë të Shqipërisë në rajon.

“Ne jemi shumë të nderuar që morëm kërkesën nga ana e ministrit për ndihmë për zhvillimet strategjike, sepse Shqipëria është vërtet një histori e lajmit të mirë. Ka një histori të shkëlqyer për ta ndarë me të tjerët. Ndjehemi vërtet mirë që të mund të ndihmojmë në mënyrë që ta përhapim këtë lajm të mirë”, deklaroi Arvizu.

Më herët mininstri i Jashtëm priti ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, i cili pasi e konsideroi të suksesshme paraqitjen e programit të qeverisë nga Rama në Bruksel, bëri një parashikim edhe më optimist për marrjen e statusit në dhjetor.

“Kjo arritje historike është e mundshme dhe e arritshme. Është e dukshme që duhet angazhimi dhe përkushtimi i të gjithëve që kjo të bëhet realitet dhe pas kësaj bisede unë inkurajova pikërisht për këtë gjë”, deklaroi Sequi.

Por ajo që Brukseli kërkon nga mazhoranca e re është gjithëpërfshirja, siç Sequi theksoi, me të cilën ka parasysh qasjen ndaj opozitës dhe rolin e saj në këtë proces.

“Konfirmova qëndrimin që ne do të vijojmë reformat mbi të gjitha arritjet e realizuara me mund nga qeveria paraardhëse, për të shkuar drejt plotësimit të kritereve të mbetura, me vullnet të hekurt dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj opozitës”, deklaroi nga ana e tij ministri Bushati.

Ndërsa ambasadori i BE-së shtoi se në marrëdhëniet e qeverisë me opozitën pret realizimin e angazhimit që Bushati ka ndërmarrë në këtë takim me të, të cilin ai u përpoq ta citonte ministrin e Jashtëm në gjuhën shqipe.

Top Channel