I pari personalitet ndërkombëtar që takoi Kryeminisrin Edi Rama pas
marrjes së detyrës më 15 shtator, ishte presidenti i Maqedonisë George
Ivanov.

Detajet e takimit që zgjati 45 minuta Rama dhe Ivanov i deklaruan gjatë një deklarate për median.Kryeministri Edi Rama e vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe se integriteti i Maqedonisë për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm.

Nuk është lënë jashtë bisedimeve çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Rama shprehu haptas shqetësimin e Shqipërisë për këtë çështje.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana tjetër zoti President më shprehu shqetësimin e tij, që të këtë më shumë vëmendje dhe më shumë hapsirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh, jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj cdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve, atë që ne vetë nuk jemi gjendje ta plotësojmë për të tjerët”, tha Rama.

Ndërsa presidenti Ivanov pasi shprehu kënaqësinë e të qënurit, mysafiri i parë që takohej me Kryeministrin Rama tha se e ardhmja europiane e Maqedonisë dhe Shqipërisë është një faktor bashkimi e si pasojë kjo duhet të përkthehet në projekte konkrete.

“Patëm një bisedë konstruktive dhe kuptimplotë, ku u ndalëm në çështjet që na shqetësojnë në rajon. Na presin ndërmarrje dhe projekte të përbashkëta që do të jenë në favor për të gjithë ata që jetojnë në këtë rajon. Konkluzioni i bisedës tonë ishte se BE është instrumenti që mund të ndihmojë dhe të mbështesë të gjitha vendet tona.Eshtë hera e parë që ne bashkohemi dhe kjo ndodh në emër të së ardhmes. Eshtë pikërisht kjo e ardhme europiane që na detyron në plotësimin e standardeve europiane. Kështu duke qënë të përkushtuar me axhendën europiane ngushtojmë hapsirat për ata që na duan të keqen duke kryer veprime që s’janë në favor të qytetarëve tanë”, u shpreh Ivanov.

Pavarsisht interesit të medias për t’i drejtuar pyetje presidentit Ivanov kjo nuk ishte e mundur pasi prototokolli presidencës maqedonase kishte vendosur mosmarrjen e pyetjeve nga gazetarët.

Top Channel