Vizitën e tij zyrtare në Bruksel, kryeministri Edi Rama e mbylli me një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Catherine Ashton.

Përveç përgëzimeve për marrjen e detyrës së re, nëpërmjet një deklarate për shtyp Catherine Ashton cilëson se ka zhvilluar një dialog të ngrohtë dhe të hapur gjatë te cilit Edi Rama ka prezantuar përparësitë e qeverisë që drejton.

“Isha e lumtur të dëgjoja mbi angazhimin e qeverisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe ndaj gjithë rajonit. Mirëpres gjithashtu angazhimin e qeverisë së re për një dialog politik të brendshëm gjithpërfshirës dhe për vijimin e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në veçanti për respektimin e kufijve por edhe për ambicien për të thelluar mardhëniet me të gjitha vendet e rajonit, me vendet anëtare të BE-së dhe një rreth të gjerë vendesh partnere”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë disa orë pas takimit.

Më herët, gjatë së martës, Rama u takua në Bruksel me kreun e KE-së, Jose Manuel Barroso, Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, Presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmusen.

Gjatë takimeve, Rama shprehu angazhimin e qeverisë së re drejt axhendës europiane, ndërsa zyrtarët e BE-së deklaruan se marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti është i mundur, por se vendi duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arritur këtë.

Top Channel