Çelet Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Kinë

18/09/2013 00:00

Është hapur në Tiranë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri -Kinë. Kryeministri i vendit Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast vlerësoi këtë nismë duke e konsideruar  hapjen e kësaj dhome si një moment që shënon një stacion të ri drejt një rrugëtimi të qendrueshëm ekonomik.

Rama u shpreh me besim se kjo dhomë do të jetë një pikë takimi dhe zhvillimi ndaj premtoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për ta bërë këtë rrugëtim sa më të lehtë.

“Kjo dhomë do të jetë një pikë takimi shumë e vlefshme për protagonistët e zhvillimit ekonomik të vendit. I uroj suksese kësaj Dhome Tregtie të shumëpritur në mjedisin e ekonomisë shqiptare dhe shpreh gjithë vullnetin tim dhe qeverisë për t’u hapur pa humbur kohë të gjitha zyrat e nevojshme atyre që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri”, tha kryeministri Rama.

Ambasadori i Kinës në Tiranë Je Hao tha se marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve kanë shënuar një rritje prej 11.6 %  në vlerën 487 milion dollarë amerikanë vitin e kaluar.
Sinkron —  JE Hao  ambasador i Kines
“Kompani të mëdha kineze kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri. Hapja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë  është një mundësi shumë e mirë pasi shërben si urë lidhëse në fushën ekonomiko-tregtare.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe zv.kryeministri i vendit Niko Peleshi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personalitete të tjera të vendit si dhe përfaqësues të biznesit në vendin tonë.

Top Channel