Vajza e Florije Pecit mbetet pa “baba”

16/09/2013 00:00

Fëmija i Florije Pecit, mbetet pa “baba”. Ndonëse vogëlushja Gladielë ka
ardhur në jetë që më 4 qershor të këtij viti, autoritetet austriake
ende nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë personin që abuzoi me të
mbijetuarën e aksidentit tragjik të Himarës, gjatë kohës që ajo po
mjekohej në një spital në Austri.

Menjëherë pas ardhjes në jetë të Gladielës, Prokuroria e Tiranës ka zbarkuar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë për të marrë mostrat e gjakut të 22-vjeçares, Florije Peci, dhe vogëlushes së saj, të cilat u janë nënshtruar analizave të ADN-së.

Këto përgjigje, janë dërguar në Austri, ku autoritetet shqiptare kërkojnë zbardhjen e skandalit seksual. Denoncimi është bërë që në muajin janar të këtij viti, ku familja Peci zbuloi që vajza e tyre kishte mbetur shtatzënë në mënyrë të mistershme.

Ajo ishte në muajin e katërt, kur mjekët i komunikuan 22-vjeçares se do të bëhej nënë. Lajmi ishte tronditës për të afërmit e studentes, të cilët dyshuan se mbi vajzën e tyre ishte abuzuar seksualisht, gjatë kohës që ajo ishte duke u rehabilituar në një spital austriak, pas daljes nga gjendja e komës. Gazmend Peci, vëllai i Florijes ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar zbardhje e të vërtetës skandaloze. Në pretendimin e tij, ai u shpreh se e motra ishte përdhunuar, me pasojë shtatzëninë, gjatë kohës që ajo nuk ishte në gjendje që të vetëmbrohej.

Për muaj të tërë, familja Peci nuk mori asnjë përgjigje nga autoritetet shqiptare, duke e lënë skandalin në harresë dhe si pasojë e kësaj, Gazmendi u “detyrua” që ngjarjen ta bëjë publike në mediat shqiptare. Pas kësaj organi i akuzës nisi lëvizjet për të zbuluar të vërtetën e asaj që dyshohet se ka ndodhur në Austri. Autoritetet shqiptare u  kërkuan homologëve austriakë që të merren më çështjen, pasi ngjarja ka ndodhur në shtetin ku ajo është rehabilituar pas aksidentit.

Disa përpjekje u bënë, por pavarësisht kësaj nuk u arrit që të identifikohej personi që ka abuzuar me 22-vjeçaren. Prokuroria shqiptare dhe ajo austriake, duhej të prisnin ardhjen në jetë të fëmijës së Florije Pecit, për të marrë analizat e ADN-së, së Gladielës dhe nënës së saj. U tha se këto analiza do të shërbejnë për të bërë përputhshmërinë biologjike të mostrave mes dy femrave dhe personave meshkuj të dyshuar si abuzues. Në dosjen e përpiluar nga autoritetet austriake janë listuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të mbijetuarën e Himarës, duke përfshirë stafin mjekësor, emigrantët shqiptarë dhe të njohur të tjerë që janë identifikuar nga dëshmitë e familjarëve.

Familjarët e Florijes herë pas here kontaktojnë me Prokurorinë e Tiranës, për të marrë një përgjigje në lidhje me procesin e hetimeve. Këtë gjë e bëjnë që prej muajit janar, kur nisën hetimet, por e vetmja përgjigje që marrin, është se nuk kanë mundur të gjejnë abuzuesin dhe hetimet po vazhdojnë. Ata kërkojnë me ngulm zbardhjen e së vërtetës. Duan të dinë se kush është personi që solli në jetë Gladielën, e cila tashmë është pranuar me dashuri në gjirin e tyre. Vogëlushja gëzon shëndet të plotë dhe rritet dita-ditës. Ajo nuk e di se si ka ardhur në jetë dhe familjarët do e kenë të vështirë që t’ia shpjegojnë një gjë të tillë. Mësohet se vajza ka sy ngjyrë kafe, kur lindi peshonte 3.9 kg dhe grupi i gjakut është 0 negativ, i cili është shumë i rrallë te njerëzit. Vajza ka lindur 39 javësh, e cila është një kohë normale për ardhjen në jetë të foshnjave.

Top Channel