Viti i ri shkollor, mesazh urimi i Nishanit

15/09/2013 00:00

Sot nis viti i ri arsimor 2013-2014 dhe me këtë rast Presidenti
i Republikës i dërgon një mesazh urimi të gjithë nxënësve që ulen në
bankat e shkollave në mbarë vendin.

“Pavarësisht nga koha që kalon, stinët që ndërrohen, qeveritë që ikin e vijnë dhe parlamentet që ja lenë vendin njëri-tjetrit, qëllimi i shkollës, thelbi i saj, mbetet i njëjtë; Zotërimi i dijeve dhe edukimi. Me pikësynimin e vazhdueshëm që ato dije dhe ai edukim të bëhen në përputhje me individualitetin e secilit, aftësitë e secilit, talentet e secilit, me shpirt përgjegjësie dhe besim në të ardhmen për të mirën e vetes dhe të shoqërisë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Sipas kreut të vendit, shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye.

“Për të kualifikuar si duhet ndërtuesit e ardhmërisë sonë; për të kultivuar dhe rrënjosur vetëdijen kombëtare, atdhetare, patriotike; për të ruajtur dhe pasuruar vlerat njerëzore dhe qytetare; për të shpërndarë dhe rrënjosur kulturën e dialogut, mirëkuptimit, paqes; për t’i vënë fre efekteve shkatërruese të rendjes së papërmbajtur drejt materialitetit; për të penguar dëmin e pallogaritshëm të emigrimit të trurit; për t’u bërë pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart”, shkruan Nishani.

“Me punë dhe këmbëngulje, me sakrifica dhe rezultate, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë vit shkollor”, uron Nishani.

Top Channel