Viti i ri i gjen shkollat në gjendje të vështirë

15/09/2013 00:00

Viti i ri akademik i gjen shkollat në vend në kushte të vështira
infrastrukturore. Një pjesë e tyre kanë mungesa bazike, ndërkohë që të
tjera kanë probleme më sipërfaqësore.

Ajo që vërehet në përgjithësi është mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore për përmirësimin e gjendjes, por pavarësisht kësaj, edhe pse jemi në vitin 2013, në shkollat shqiptare vështirë të gjesh laboratorë fizike apo kimie të një niveli të kënaqshëm dhe nxënësit, edhe sot, vijojnë të mësojnë për reaksionet nëpërmjet imagjinatës, apo përshkrimit që u bën mësuesja. Në më të mirën e rasteve e shohin në internet.

Po ashtu, pavarësisht sloganeve të Shqipërisë në moshën e internetit, në vendin tonë vijon të ketë probleme bazike me laboratorët e informatikës. Pavarësisht kësaj, probleme kryesore mbeten tualetet, ku edhe në rastet kur funksionojnë, nuk mund të përdoren nga të gjithë nxënësit e shkollës. Disa shkolla nuk kanë palestër për të bërë orën e fizkulturës, por edhe kur kanë kushtet e dhomave të zhveshjes lënë shumë për të dëshiruar. Po ashtu, bibliotekat me tekstet që duhet të lexojnë nxënësit si pjesë e programit mësimor apo të tjera si pjesë e leximeve jashtë shkollore mungojnë në të shumtën e rasteve.

Në një raport të fundit të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, thuhet se nga inspektimet e kryera rezulton se shkollat në vend kanë një listë të gjatë problemesh kryesisht me infrastrukturën.

Ndërkohë që, edhe meremetimet e kryera në mënyrë sipërfaqësore nga autoritetet e pushtetit vendor nuk mund të fshijnë problemet qendrore që kanë sot institucionet e arsimit parauniversitar.

Vihet re se infrastruktura e shkollave është më e mirë në zonat urbane dhe që midis shkollave të qytetit dhe atyre të fshatit ka një handikap të madh. Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar vë në dukje gjatë inspektimit të shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme, se nuk ka një bashkëpunim të mirë midis shkollave dhe drejtoritë rajonale arsimore. Në lidhje me këtë, vihet re edhe mungesë dokumentacioni në shumë shkolla të vendit. Specialistët e IKAP rekomandojnë DAR përkatëse duhet të pasurojnë laboratorët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në funksion të procesit mësimor, si dhe të bëhet një bashkëpunim më i fortë me pushtetin lokal për ndërtimin e ambienteve të reja. Viti i fundit shkollor 2012-2013 nuk plotësoi standardet e duhura për t’u dhënë nxënësve shkollim cilësor. Sipas raportit të fundit të publikuar nga IKAP vihen re mungesa të ambienteve mësimore dhe probleme në infrastrukturën e shkollave. Në konkluzionet e raportit janë vënë në dukje mospajisja e shkollave me klasa laboratorë për lëndët shkencore, mungesa e ambienteve për edukimin fizik e deri tek mungesa e bibliotekave apo librave që u vijnë në ndihmë nxënësve për të studiuar. Sipas raportit, në disa shkolla ka ende mungesë të sistemeve apo mjeteve të ngrohjes për klasat, edhe pse për këtë pushteti lokal ka investuar jo pak, por që aktualisht midis shkollave dhe bashkive apo komunave nuk ka një bashkëpunim në nivelin e duhur.

Në raport thuhet se në mjaft shkolla të vendit, prindërit detyrohen të kontribuojnë me fonde për t’ju ardhur në ndihmë shkollave. Një tjetër problem është bashkëpunimi i mësuesve dhe prindërve, që në konkluzionet e raportit thuhet se nuk është në nivelin e duhur. Sipas raportit, stafi pedagogjik në shkolla angazhohet për të lidhur një marrëdhënie me prindërit, për t’i informuar ata për ecurinë e fëmijëve, ndërkohë nga ana e prindërve nuk ofrohet i njëjti bashkëpunim. Problemi më madhor sipas raportit, mbetet pasurimi i shkollave me ambiente studimi, bibliotekë dhe tituj librash.

Gazeta “Shqip”

Top Channel