Tiranë, plagosje në kazino

12/09/2013 00:00

Një 45 vjeçar nga Laçi u plagos nga persona të paidentifikuar teksa ishte duke luajtur në një pikë lojrash fati në rrugën “Bardhyl” në kryeqytet.

Aktualisht, hetuesit  ndodhen në dilemë dhe ende nuk dinë t’i vendosin një emër ngjarjes nëse ajo është një grabitje e mirëfillte apo më shumë një plagosje sa për të kërcënuar objektivin.

Sipas policisë, Viktor Skeja, 45 vjeç,  drejtues i filialit të “CEZ”-it në Laç kishte gati 40 minuta që kishte hyrë në një pikë lojrash fati kur rreth ores 16, një person i veshur me të zeza dhe me skafandër në kokë ka pyetur punonjesit se ku ndodhej ai.

Personi, sapo i është afruar objektivit ka konfirmuar sërisht duke e pyetur 45-vjeçarin, “ti je Viktor Skeja” dhe sapo ka marrë përgjigje pozitive e ka qëlluar atë në këmbë me armë zjarri.

Pasi i ka marrë të plagosurit 25 mijë lekë,  autori mandej, sipas dëshmitarëve i është afruar arkëtares, duke vjedhur gati 100 mijë lekë.

Në përfundim , autori është larguar me një motor, i shoqëruar nga një tjetër person që i priste në dalje të kazinosë.

Ndërsa i plagosuri është përcjellë për në spital, ku dhe do të pyetet më pas për konfliktet e tij të mundshme, grupit të hetimit i duhet të saktësojë nësë ngjarja ka lidhje me ndonjë kërcënim të mundshëm ndaj Skejës apo është thjesht një grabitje, duke ndjekur një mekanizëm të panjohur më parë.

Top Channel