Shkodër, sherr me thika mes vëllezërve

11/09/2013 00:00

Një krim brenda familjes për çështje pronësie është shënuar pasditen e së mërkurës në qytetin e Shkodrës, ku vëllai ka plagosur me thikë dy vëllezërit e tij, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur pranë sheshit Isa Boletini, në rrugën kryesore të qytetit, ku shtetasi Mark Zefi, 37 vjeç, pasi është përleshur me grushta me dy vëllezërit e tij Ardian dhe Pal Zefin, përkatësisht 40 dhe 27 vjeç, i ka goditur me thikë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë, shkak për episodin është bërë një debat mes palëve për çështjen e pronësis së një toke në fshatin Kuç, ku edhe ata banojnë.

Ndërkohë, mësohet se gjendja shëndetesore e njërit prej të plagosurve, shtetasit Ardian Zefi, i cili është goditur me thikë në brinjë, është shumë e rëndë.

Ngjarja ndodhi pranë sheshit kryesor në Shkodër, në prezencë të shumë kalimtarëve dhe krijoi panik tek qytetarët që u larguan me shpejtësi. Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të autorit, por ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Top Channel