Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe pretendimi mbi pronësinë kanë çuar në një përplasje midis Komunës Ishëm dhe Kishës Katolike, që doli në pah gjatë ndërhyrjes për prishjen e objekteve abuzive një ditë më parë.

Kisha Françeskane kishte vendosur një trà, si dhe një tarifë prej 100 lekësh për të kontrolluar futjen e turistëve vendas dhe të huaj, në zonën ku ndodhet Kisha e Shën Ndout, në Kepin e Rodonit, e cila pas viteve ’90 është kthyer në vend peligrinazhi.

Një ditë më pas, kryqi ende ngrihet buzë rrugës i paprekur, ndërsa trau dhe kabina, që shërbente si vendqëndrim për mirëmbajtësit e objektit fetar, nuk janë më.

Lidhur me pretendimin e përfaqësuesve të Kishës, kryetari i Komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi, thotë se ka pasur disa njoftime zyrtare për heqjen e traut dhe objekteve të paligjshme nga zona turistike, por në asnjë rast nuk është marrë përgjigje.

“Kemi pasur me kohë ankesa nga banorët dhe turistë, të huaj e vendas, sepse ai postobllok që ekzistonte aty u merrte atyre 100 lek të reja, sa herë që vizitonin vendin. Faktikisht ai postobllok nuk duhet të ekzistojë, sepse ajo rrugë është bërë me fondet e Zhvillimit në bashkëpunim me Komunën Ishëm dhe në Kepin e Rodonit ndodhen monumente kulture, që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës”, tha Sulejman Ibrahimi, kryetar i Komunës Ishëm.

Forcat e Policisë së Shtetit nuk e kanë mbështetur ndërhyrjen e inspektorëve të Komunës dhe kryekomunari thotë se do të kërkojë shpjegime për këtë qëndrim, pasi shumë shpejt do të nisë prishja e të gjitha objekteve të paligjshme në bregdetin e Gjirit të Lalzit, pjesë e territorit të kësaj komune.

Top Channel