Zjarr në Urgjencën e Durrësit

10/09/2013 22:50

Djegia e një kablli elektrik, në bodrumin e Urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit, ka çuar në evakuimin e pacientëve dhe bluzave të bardha nga ky repart, si dhe ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjithë zonën.

Shtëllunga të mëdha tymi janë përhapur me shpejtësi edhe në repartin e Urgjencës, duke alarmuar personelin mjekësor, pacientët dhe familjarët e tyre.

Forcat zjarrfikëse dhe ato policore kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të situatës së krijuar, nga e cila nuk ka pasur të dëmtuar.

E ndërsa në lagjet përreth është kthyer energjia elektrike, në spital më shumë se gjysma e ambienteve po furnizohen me energji nga gjeneratori dhe pjesa tjetër është në terr.

Ndërkohë, shërbimi spitalor i Urgjencës dhe pacientët që po trajtoheshin aty janë zhvendosur në mjedise të tjera të spitalit, pasi tymi nuk është larguar ende nga reparti.

Top Channel