“Karburantet” në Kushtetuese, Gjykata shtyn vendimin

10/09/2013 00:00

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 3 tetor vendimin për koncesionin e shumëpërfolur të ngjyrosjes së karburanteve.

Marrëveshja dhjetëvjecare, përmes të cilës Qeveria i jep monopolin e markimit të karburanteve një kompanie private nga Austria, u padit në gjykat si antikushtetuese nga shoqata e hidrokarbureve. Padia eshte ngritur mbi procedurat e ndjekura nga Qeveria për koncesionin.

Sipas kontratës, koncesionari privat do të përfitojë 6.5 euro për çdo ton karburant që qarkullon në Shqipëri, në tregun e brendshëm apo për eksport.  

Por Qeveria e miratoi atë pa e votuar në Kuvend. Disa juristë thonë se tarifa prej 6.5 euro për ton, është ‘de facto’ një taksë e pastër kombëtare. Dhe autoritetin për të vendosur taksa kombëtare me kushtetute e ka vetëm Kuvendi i Republikës. Pikërisht shmangia e Kuvendit nga Qeveria është dhe baza mbi të cilën është ngritur padia.

Që në fillim koncesioni i kontrollit të cilësisë së karburanteve është kundërshtuar fort jo vetëm nga shoqata e hidrokarbure, por edhe nga opozita që ka lajmëruar anulimin e saj. Përmes këtij koncesioni Qeveria i ka dhënë kompanisë private të drejtën dhjetëvjecare të një monopoli që kushton nga 150-200 milionë euro në total. Paratë do të paguhen nga qytetarët në çmimin final të naftës, për një shërbim i cili deri tani është kryer me kosto zero nga inspektoriati teknik. Zyrtarisht gjykata thotë se arsyeja e shtyrjes së vendimit është se shoqata ka bërë një kërkesë-padi shtesë dhe se palët e tjera të interesuara janë vënë në dijeni të saj vetëm pak ditë më parë.

Por a është kjo arsyeja e vërtetë apo shtyrja e vendimit është e lidhur edhe me zhvillimet politike në vend, ku në parlament po konstitutohet Qeveria e re, e shprehur qartazi kunder koncesionit? Vetë koncesioni është shndërruar tani në një çështje delikate, dhe cilido institucion që të vendosë për fatin e tij, qoftë Qeveria e re qoftë Gjykata Kushtetuese, në lojë janë 200 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme.

Top Channel