Dy vjet nga ekzekutimi i gjyqtarit

09/09/2013 00:00

Momentet që tregojnë se si u vra gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Sekerdilajd Konomi do të mbeten gjatë në kujtesën e kujtdo që pa nëpërmjet mediave se si u ekzekutua publikisht 33-vjeçari, baba i dy fëmijëve.

Të premten e 9 shtatorit 2011 Skerdilajd Konomi po shkonte në gjykatë. Sikurse në ditët e tjera, ai po udhëtonte në bulevardin qëndror të qytetit me mjetin tip “Benz”, të cilin e përdorte bashkëshortja Enkelejda, duke qenë se mjetin e tij ia kishin dëmtuar disa ditë më parë persona të panjohur.

Në orën 09.20 minuta, rreth 500 gramë tritol i vendosur poshtë sediljes së shoferit shpërthyen duke lënë pas disa minutash të pajetë gjyqtarin Konomi.

Në dyvjetorin e vrasjes së Skerdilajd Konomit, megjithë angazhimin e deklaratat e zyrtareve më të lartë për të gjetur njerëzit që ekzekutuan gjyqtarin, nuk ka asnjë emër të dyshuar apo edhe një pistë konkrete.

Dosja vijon të shfletohet nga hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e po ashtu hetimet vijojnë të qëndrojnë për pistën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës.

Grupi i hetimit më shumë se një vit më parë doli në konkluzionin se nga kontrolli i të gjitha dosjeve të gjykuara prej tij nuk u gjet asnjë i dyshuar që të kishte lidhje me atentatin mafioz.

Por, pas kontrollit të dhjetra telefonatave, e vetmja pistë tek e cila prokurorët po vijojnë të gërmojnë është ajo e konflikteve gjyqësore që Konomi kishte për shkak të disa hektarëve truall në Gjirin e Lalëzit.

Aktualisht grupi i hetimit ndodhet sërish në fazën e rivlerësimit të deklaratave nga dëshmitarët okularë, në një kohë që për policinë ende mbetet në fuqi shpërblimi i vendosur prej saj i shumës prej 100 mijë euro për këdo që do ta çonte drejtësinë tek autorët.

Jo zyrtarisht grupi i hetimit i pyetur nga Top Channel pohon se e ka ngushtuar rrethin e personave të dyshuar për ngjarjen mafioze, edhe pse në këtë rreth, në dyvjetorin e vrasjes së Skerdilajd Konomit, të paktën ende s’ka një përgjigjje se përse u vra gjyqtari.

Top Channel