Dëshmia e trashëgimisë te noteri

08/09/2013 19:40

Që prej kësaj të hëne, çdo qytetari, që i nevojitet një dëshmi trashëgimie, duhet t’i drejtohet noterëve dhe jo më gjykatave.

Pavarësisht se ndryshimet në kodin civil kanë hyrë në fuqi në datën 1 shtator, përgjatë këtyre ditëve qytetarët kanë përpiluar sërish padi civile për të marrë dëshminë e trashëgimisë, sikurse e tregojnë edhe këto të dhëna nga faqja zyrtare e gjykatës.

Po ashtu, edhe ky vendim, që mban datën 5 shtator, dhe ku gjykata është investuar, duke shpallur një vendim referuar kërkesës përkatëse.

Vonesa 9 ditore për ta bërë praktike, marrjen e një dëshmie trashëgimie nëpërmjet një rrugë më të shkurtër, sipas ndryshimeve në ligj, argumentohen në këtë mënyrë nga Dhoma e Noterisë.

“Neve na është dashur një punë e madhe. Është një sistem i tërë i riorganizuar në kuadrin e lëshimit të këtyre dëshmive, pra është një regjistër kombëtar i testamenteve. Ju përsërita më parë se, në gjykatë ishte vetëm një deklarim i palës, se personi që ka lënë trashëgiminë (trashëgimi-lënësi) gjithmonë nuk ka lënë ose ka lënë testament. Por, te ne kjo do të verifikohet. Asnjë nuk do të lëshohet, në rast se nuk do të verifikohet më parë testamenti. Pra, krijimi i këtij regjistri kombëtar të testamenteve hap një rrugë të re për përmirësimin e këtij shërbimi”, tha Fatmir Lacej, zv/president i Dhomës Kombëtare të Noterisë.

Por, ndërsa më parë qytetari i drejtohej gjykatës me një kërkesë-padi, cilat janë hapat, që ai duhet të ndjekë për të marrë dëshminë e trashëgimisë te noterët?

“Të gjithë ata trashëgimtarë, që kërkojnë lëshimin e trashëgimisë ligjore apo testamentare, do të paraqiten fillimisht me një kërkesë te zyra noteriale, te ajo zyrë ku ka pasur vendbanimin e fundit ai që ka lënë trashëgiminë, ose testatori nëse ka qenë me testament. Nëse kjo nuk dihet, atëherë do të paraqiten tek ajo zyrë noterie, ku ky trashëgimi-lënës ka pasur edhe pasurinë e tij kryesore, ose pjesën më të madhe të pasurisë. Pra, jo në çdo zyrë noteriale. Do të paraqitet edhe çertifikata e vdekjes së trashëgimi-lënësit dhe njëkohësisht dokumentet shoqëruese si çertifikata e trungut familjar dhe çertifikata personale e të gjithë personave trashëgues”, shtoi Fatmir Lacej.

Aktualisht, në Gjykatën Civile, me hyrjen në fuqi të ligjit, janë ende nën shqyrtim 200 dosje me objekt dëshminë e trashëgimisë, në një kohë që, përgjatë nëntë muajve, është dhënë verdikti për gati 1900 kërkesa të tilla.

Top Channel