Aksident në jug, gjejnë vdekjen nënë e bir

07/09/2013 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen e dy personave është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në aksin Levan-Tepelenë, ku një fuoristradë është përplasur me një zetor.

Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë policisë rrugore, sipas të cilave nga aksidenti ka humbur jetën shtetasja Adelina Muçaj, 35 vjeç dhe fëmija i saj 2-vjeçar.

Sipas burimeve, nga përplasja e fortë kanë mbetur të plagosur rëndë bashkëshorti i viktimës, Jetnor Muçaj, vajza e çiftit dhe katër personat që po udhëtonin në zator.

Burimet saktësojnë se aksidenti është verifikuar në fshatin Kafaraj dhe shtojnë se nga hetimet paraprake dyshohet që shkak të jetë bërë mungesa e ndriçimit në rrugë.

Ndërkohë, personat e plagosur janë dërguar drejt spitalit më të afërt për të marrë ndihmë mjekësore. Disa prej tyre kanë marrë plagë të rënda.

Ndër aksidentet më të rënda të ndodhura së fundmi në vend ka qenë ai i dy të rinjve që humbën jetën në fshatin Shtoj i Ri, në rrethin Shkodrës, pasditen e së enjtes.

Si rrjedhjojë e shpejtësisë së lartë, makina tip “BMW” me targa italiane ku udhëtonin të rinjtë doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një shtëpie. 

Top Channel