Festivali i Filmit në Pogradec

04/09/2013 00:00

Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë vijon kalendarin e tij të ngjeshur me filma dhe gatime tradicionale nga vendet e ndryshme të Ballkanit.

Maqedonia prezantoi në natën e dytë filmat dhe kuzhinën e saj në qytetin e Pogradecit. Sikundër është tradita për cdo dite ofrohet dreka me gatime tradicionale të një prej vendeve ballkanike.

Ajo mbledh së bashku pjesëmarrësit të cilët pas një dreke të këndëshme dhe plot larmi shijesh, pasditen e mbushin me filmat e sjellë nga ky festival.

Këtë vit organizatorët me më tepër përkujdesje kanë mundur të sjellin një aktivitet më të gjërë, ndërsa nuk i kanë munguar edhe emrat e njohur të kinematografisë si Margaita Xhepa, Robert Ndrenika, Yllka Mujo.

“Them se përse duhet t’i kthejmë gjithmonë sytë nga Franca, Gjermania, Italia, pse jo me njëri-tjetrin, mundësitë janë. Kështu e mendoj unë, kështu e mendon edhe drejtori i Qendrës së Filmit i Maqedonisë i cili është partizan i bashkëpunimeve që ka bërë bashkëpunime të suksesshme me filmin shqiptar, por edhe me vende të tjera”, thotë regjisori Eno Milkani.

Dy prej artistëve më të  njohura të ekranit tonë kanë përcjellë vlerësimin e tyre për këtë festival ku janë sjellë krijime mjaft të mira dhe ku mund të promovohen edhe talentet e reja.

Yllka Mujo, aktore: Them që ky e përfaqëson shumë denjësisht edhe grupin që punon për këtë festival, djem e vajza shumë të përkushtuar dhe vërtet filmdashës. Ka aromë të vërtetë dhe të sinqertë.

Margarita Xhepa, aktore: Disa të rinj më emocionuan që kanë prurë gjetje të reja me mesazhe të bukura njerëzore. Është shumë e vështirë që në një film të shkurtër të japësh një mesazh njerëzor.

Festivali ka vijuar natën e tij të dytë me filma nga Maqedonia, por edhe vende të tjera të Ballkanit.

Top Channel