Hetimet e të kërkuarit në Itali

03/09/2013 00:00

Gati një vit pasi grupi operacional special kreu këtë arrestim në afërsi të ish-zonës së Bllokut, prokuroria e kryeqytetit mbylli hetimet për të kërkuarin nga shteti italian, Gjergji Tushaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij që e kishin ndihmuar për të falsifikuar dokumentat, në mënyrë që t’i shpëtonte drejtësisë.

Në kërkesën për gjykim, prokurorja Antoneta Sevdari i thotë gjykatës se  i kërkuari, Gjergji Tushaj  ka falsifikuar dokumentat së bashku me oficerin e policise gjyqësore, Aleksandër Kolmarku dhe shtetasin Bardhok Gjini, në një kohë që ndihmës të tij në këtë proces që kanë paraqitur rrethana të rreme, sipas organit të hetimit janë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Historia nis në verën e 2012-s, kur shteti italian, nëpërmjet një letërporosie, i kërkoi prokurorisë së përgjithshme të verifikonte disa dokumenta të lëshuara nga institucionet shqiptare për të pandehurin Gjergji Tushaj, me emrin e mëparshëm Gjok Tushaj, i dënuar nga ky shtet për rrëmbim personi, marrëdhenie seksuale me dhune dhe shfrytëzim prostitucioni.

Por, pavarësisht këtij vendimi të formës së prerë, nëpërmjet avokates së tij Tushaj ka paraqitur në gjykaten e Monzës dokumenta që tregonin se përgjatë viteve për të cilat akuzohet, ai ka qenë i punësuar në uzinën e bakrit Laç, mandej ka qenë i shtruar në Spitalin Ushtarak Tirane si dhe është pajisur me një patente të klasit C nga Drejtoria e Transportit Rrugor.

Organi i hetimit konkludon se të gjitha këto dokumenta janë falsifikuar në mënyrë që të pengohej ekstradimi i të kërkuarit, pasi  Tushaj s’ka qenë kurrë i punësuar në uzine, nuk ka qenë kurrë i shtruar në Spitalin Ushtarak si dhe nuk është pajisur ndonjëherë me patentën në fjalë.

Top Channel