Kosova nuk e ka luksin që të bëjë lëshime për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit duke i hequr simbolet shtetërore nga fletëvotimet.

Kështu ka deklaruar kryetari i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, që sipas tij, nëse kësaj radhe bëhen këto lëshime, atëherë marrëveshja do të zhvlerësohet: “Unë mendoj se nuk e ka luksin, nuk ka asnjë nevojë që Kosova të sfidohet me të. Marrëveshja është nënshkruar dhe nënkupton që gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe ata në veri të vendit, t’i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Nuk ka të drejtë as Serbia, as faktori ndërkombëtar të thonë bëni lëshime kësaj radhe sepse një lëshim i tillë do ta zhvlerësojë plotësisht marrëveshjen që ekziston dhe do ta bënte joekzistente”.

Sipas Mustafës nuk mund të mbahen zgjedhjet në asnjë cep të Kosovës pa respektimin e fletëvotimeve, të cilat duhet të kenë logon e Kosovës dhe pa respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës: “Unë mendoj se ne duhet të mos merremi me çështjen e fletëvotimeve. Duhet të kuptojmë se duhet të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe s’mund të mbahen zgjedhjet në asnjë vend të Kosovës pa respektimin e fletëvotimeve, të cilat duhet të kenë logon e Kosovës dhe pa respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës”.

Përveç këtyre, për kreun e LDK-së nuk është e rëndësishme se sa njerëz marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës, pasi sipas tij, e rëndësishme është të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka miratuar se si do të duken fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të cilat për herë të parë do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Top Channel