Romët, Totozani: Qeveria të reagojë

20/08/2013 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka kërkuar nga Qeveria ndërhyrje të
menjëhershme në legjislacionin e shqiptar në kriteret që parashikohen
për regjistrimin, ndihmën ekonomike dhe programet e strehimit të
komunitetit rom.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët rreth situatës së familjeve rome në vendin tonë, Totozani shtroi domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave konkrete në drejtim të këtij komuniteti, pasi deri më sot sipas tij ka pasur vetëm fjalë, asgjë nuk është bërë nga institucionet shqiptare.

“Nëse duam që qytetarët romë të bëhen qytetarë të vërtetë, është e nevojshme që të zvogëlohen kriteret përjashtuese të këtyre qytetarëve. Është e nevojshme të ndryshojë legjislacioni në kriteret që parashikohen për regjistrimin, ndihmën ekonomike dhe programet e strehimit. Kemi 1 vit që kemi bërë këto kërkesa, por ato nuk janë pranuar. Zgjidhja e problemeve të qytetarëve rom duhet bërë në mënyrë ligjore dhe sa më shpejt”, tha ai.

Sipas Totozanit, komuniteti rom vijon të mbetet tepër i diskriminuar, ndërsa theksoi se është e  është e patolerueshme që ata ende mbeten të përjashtuar nga sistemi social.

“Romët janë qytetarë që në institucionet e Shqipërisë janë të përjashtuar socialë. Në sistemin social shqiptar, me ato të mira modeste që ka, qytetarët romë nuk përfitojnë prej tyre. Ata vijojnë të jetë ende të paregjistruar. I njëjti problem është edhe lidhur me dhënien ekonomike apo strehimin. Romët nuk mund të përfitojnë nga programet kombëtare të strehimit, pasi nuk plotësojnë dot kriteret”, theksoi Totozani.

Top Channel